Prishet autobusi, skuadra shqiptare nuk zhvillon ndeshjen e Kupës

Nuk kanë fund çudirat në futbollin shqiptar. Ajo që ka ndodhur me skuadrën Bylisit është vërtetë diçka e rrallë.

Ndeshja e kthimit e vlefshme për raundin e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë mes Luftëtarit dhe Bylisit nuk është luajtur pasi ballshiotët për shkak të një problemi që ka patur autobuzi me të cilin po udhëtonte skuadra drejt Gjirokastrës kanë mbrritur me 1 orë vonesë në qytetin e gurtë, shkruan SS.

Gjyqtarët e sfidës kanë pritur për 45 minuta në fushën e blertë ekipin mallakastriot dhe më pas arbitri kryesor ka vërshëllyer për përfundimin e ndeshjes pa e nisur fare atë.

Vetëm 4 lojtarë të Bylisit mbërritën në kohë në Gjirokastër pasi pjesa tjetër e skuadrës arriti me rreth 45 minuta vonesë, kur dihet që distanca mes Ballshit dhe Gjirokastrës me makinë është vetëm 1 orë e 30 minuta.

Madje Bylis kishte shanse të mira për të avancuar më tej pasi kishte fituar ndeshjen e parë me rezultatin 2-1 në stadiumin “Adush Muça”.

Tashmë pritet vendimi i komisionit të Disiplinës me Luftëtarin që sipas të gjitha gjasave do ta fitojë ndeshjen 3-0 në tavolinë dhe do të kualifikohet në çerekfinale, ndërkohë që Bylis rrezikon të përjashtohet edhe nga edicioni i ardhshëm i Kupës së Shqipërisë.