Prodhuesit Cruise i është kërkuar të përgjysmojë operimin e robot-taksive në Kaliforni

Operatorit amerikan të ‘robot-taksive’, Cruise, i është kërkuar që të përgjysmojë përkohësisht numrin e automjeteve autonome që operon në Kaliforni nga rregullatorët pas incidenteve të shumta në më pak se një javë.

Siç raportohet nga San Francisco Chronicle, Departamenti i Automjeteve në Kaliforni (DMW) ia bëri kërkesën kompanisë Cruise – e cila është në pronësi të gjigantit amerikan të veturave General Motors.

Kërkesa u bë të premten e kaluar pas dy përplasjeve të së enjtes mbrëma.

Incidenti i parë ndodhi kur një robot-taksi i Cruise – që po bartte një pasagjer – u përplas me një kamion të zjarrfikësve.

Pasagjeri u trajtua në vendngjarje dhe u dërgua në spital me lëndime “jo të rënda”.

Disa orë më vonë, një tjetër veturë autonome e Cruise po kalonte ligjërisht në dritën jeshile kur u godit nga një tjetër kamion i zjarrfikësve që thuhet se iu përgjigj një thirrjeje emergjente.

Dy përplasjet erdhën vetëm pak ditë kur një grup prej disa makinave autonome u fajësuan për shkaktimin e bllokimit të trafikut në San Francisko. Automjetet pësuan një humbje të lidhjes për shkak të një festivali që po mbahej më shumë se gjashtë kilometra tutje.