Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Prokurori i BE-së kërkon heqjen e imunitetit për 11 deputetë grekë për...

Prokurori i BE-së kërkon heqjen e imunitetit për 11 deputetë grekë për mashtrim me fondet e BE-së

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar për 11 deputetë grekë si pjesë e një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi të organizuar që përfshin fondet bujqësore të BE-së, transmeton Anadolu.

“Sot në përputhje me procedurat e përcaktuara nga rregullorja e EPPO-së dhe ligji kombëtar grek, kryeprokurorja evropiane i kërkoi Parlamentit grek heqjen e imunitetit për 11 deputetë aktivë në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi të organizuar që përfshin fondet bujqësore”, thuhet në deklaratë.

Paralelisht, zyra e EPPO-së në Athinë informoi parlamentin grek për përfshirjen e dyshuar të një ish-ministri dhe një zv/ministri të zhvillimit rural dhe ushqimit.

Zyra gjithashtu rikujtoi se pesë ish-deputetë grekë janë nën hetim në lidhje me akuzat për mashtrim.

“Hetimi ka të bëjë me vepra penale dhe kundërvajtje që cenojnë interesat financiare të BE-së, përkatësisht nxitjen e shkeljes së besimit, mashtrimin kompjuterik dhe deklarimin e rremë me qëllim përfitimin e paligjshëm”, theksohet më tej.

Agjencia greke për Pagesa dhe Kontroll të Ndihmës Komunitare (OPEKEPE) ishte përgjegjëse për shpërndarjen e subvencioneve në kuadër të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP), duke menaxhuar miliarda euro çdo vit.

EPPO udhëhoqi hetimet për këtë rast, duke kryer kontrolle në zyrat e OPEKEPE dhe duke zbuluar përfshirjen e dyshuar të zyrtarëve të agjencisë, ndërmjetësve, kontabilistëve dhe të tjerëve në një mashtrim të mundshëm sistematik dhe korrupsion.

Në qershor të vitit 2025, BE-ja i vendosi Greqisë një gjobë rekord prej 392 milionë eurosh për dështime në mbikëqyrje, gjë që çoi në vonesa në pagesa, protesta të fermerëve dhe shpërbërjen e mëvonshme të OPEKEPE.

Në tetor të vitit 2025, policia greke arrestoi 37 të dyshuar në mbarë vendin në një operacion të madh kundër një grupi kriminal të organizuar të lidhur me këtë rast.

Skandali shkaktoi pasoja politike në Greqi, përfshirë dorëheqje ministrash, hetime parlamentare dhe debat mbi klientelizmin dhe qeverisjen.