Prokurori i Përgjithshëm i Iranit: Policia e moralit pezullohet atje ku ishte themeluar

Mohammad Jafar Mountazeri

Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Jafar Mountazeri njoftoi pezullimin e njësisë së “Policisë së moralit” e cila ishte në fokusin e kritikave lidhur me protestat për Mahsa Aminin të cilat vazhdojnë prej më se dy muajsh në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Studentëve Iranianë (ISNA), Mountazeri ka folur në takimin me temë “Shpjegimi i Dimensioneve të Luftës Hibride”.

“Gjyqësori po vlerëson me të gjitha drejtimet e saj protestat e fundit në vend”, tha Mountazeri i cili mbi një pyetje lidhur me pezullimin e njësisë së Policisë së Moralit tha se “Policia e moralit nuk ka asnjë lidhje me gjyqësorin. Policia e Moralit është mbyllur atje ku ajo ishte themeluar në të kaluarën”.

Mountazeri i cilësoi si “luftë hibride” protestat e përhapura në të gjithë vendin dhe të cilat janë shndërruar në anti-qeveri. Ai theksoi se ndodhen përballë një lufte më gjithëpërfshirëse se lufta Iran-Irak që vazhdoi për 8 vite.

“Lufta hibride në përmasat e cila nuk mund të krahasohet me luftën Iran-Irak ka shumë drejtime të tilla si politikë, përhapjen e gënjeshtrës dhe lajmeve të rreme, luftë kibernetike, kulturore dhe diplomatike, prishjen e marrëdhënieve me vendet e tjera, rritjen e sanksioneve ekonomike dhe përçarje mes pakicave fetare dhe etnike”, tha Mountazeri.

Ai bëri të ditur se do t’u shkohet përsipër me vendosmëri atyre që kanë shkaktuar lëvizjen “rebeluese” në vend. Mountazeri për iniciativa kundër Iranit bëri përgjegjës SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Izraelin dhe disa vende arabe.

Policia e moralit e formuar lidhur me policinë e Iranit, filloi detyrën fillimisht në vitin 2006. Njësia e cila në fillim paralajmëronte gratë që nuk visheshin në mënyrën e “përshtatshme” me kodin e veshjes, më pas filloi që të arrestojë gratë në fjalë.

Policia e vendit nuk ka dhënë ende ndonjë deklaratë lidhur me temën.

Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua më 13 shtator nga patrullat e Irshad-it e njohur si “Policia e moralit” në Teheran, shkaktoi protesta kundër qeverisë së vendit në Iran.