Prokuroria i kërkon policisë raport urgjent për praninë e dy serbëve të dyshimtë në Deçan

Prokuroria në Pejë ka kërkuar raport urgjent nga Policia e Kosovës për praninë e dy serbëve në Deçan në kohën kur atje janë raportuar raste të helmimeve masive që po dyshohen të jenë në uji i pijshëm.

Kjo është konfirmuar sot në një konferencë për media nga kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se është kërkuar raport urgjent nga Policia e Deçanit pasi që prokuroria nuk është lajmëruar në lidhje me këtë rast.

“Sa i përket dy qytetarëve të nacionalitetit serbë, meqenëse nuk është lajmëruar Prokuroria lidhur me këtë rast, sot kam kërkuar nga Policia e Deçanit që të përpilojë një raport urgjent dhe të më njoftojnë rreth kësaj. Pastaj ne do të marrim veprime të nevojshme në atë drejtim. Edhe për këtë çështje do të ju njoftojmë në vazhdim”, ka thënë ai.