Prokuroria kërkon paraburgim për “Kobrën” dhe pesë të tjerët

Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhën, i njohur si “Kobra” dhe pesë të tjerët, të dyshuar për vrasjen e V.C., të martën, në Prizren.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulimi me prova”, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se duke marrë parasysh veprat penale që dyshohen se janë kryer, vepra penale e vrasjes së rëndë është e rrezikshmërisë së madhe me dënueshmëri të lartë, kjo tregon rrezikun e ikjes së të dyshuarit nga territori i Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies nga procedura penale.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj me të pandehurit e tjerë – të punësuar në lokalin e tij, tregojnë rrezikun se të njëjtët mund të ikin me qëllim të shmangies nga procedura. Pika 1.2.2, meqë sapo kanë filluar hetimet dhe në vijim pritet marrja në pyetje të pandehurve, dëshmitarëve V.D. dhe E.K. dhe dëshmitarëve eventualë që mund të rrjedhin nga procedura e hetimeve, nisur nga fakti se personat të dyshuar si Dibran Hoxha dhe të dyshuarit e tjerë janë në raporte të afërta në mes vete, se i pandehuri Dibran është pronar i lokalit ku ka filluar përleshja dhe të pandehurit tjerë janë punëtorë të të pandehurit Dibran dhe këto raporte mes tyre tregojnë rrezikun për të ndikuar në njëri-tjetrin në dëshmitarë ose edhe në asgjësimin, fshehjen ose ndryshimin e ndonjë prove të rëndësisë për veprat penale në fjalë.

Gjithashtu, në kërkesë thuhet se mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, karakteristikat personale të të pandehurit Dibran Hoxha, sjelljet e tij të mëparshme të njohura për organet e drejtësisë, tregon rrezikun e përsëritjes së sërishme të veprimeve të njëjta ose të ngjashme të pandehurve. – pas analizimit të shkresave të lëndës dhe masave të parapara për sigurinë e pranisë të pandehurit, bazuar në Nenin 187, paragrafin 1, nënparag. 1.3. të KPPK-së, pas shqyrtimit në tërësi të shkresave të lëndës.

Në fund të kërkesës thuhet se Prokuroria ka ardhur në përfundim se në këtë fazë të procedurës masat e tjera alternative janë të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë të pandehurve, andaj me qëllim që procedura e hetimeve të zhvillohet pa pengesa, konsideroj se është e domosdoshme që ndaj të pandehurve të caktohet paraburgimi, me qëllim të zhvillimit normal dhe pa pengesa të procedurës penale.