Prokuroria nis hetimet për vdekjen e 16-vjeçares nga Drenasi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet për rastin e vdekjes së dyshimtë të së miturës nga Drenasi.

Siç njofton kumtesa, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar hetimet paraprake lidhur me zbardhjen e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas publikimit në mediat elektronike të rastit për vdekjen e dyshimtë të së miturës nga Drenasi, Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar hetimet paraprake hetimore lidhur me zbardhjen e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, policia në raportin 24 orësh ka njoftuar  për vdekjen e të miturës.

“Raportohet se viktima  femër kosovare për shkak të problemeve shëndetësore me datën 14.05.2020 kishte kërkuar tretman mjekësor dhe pas tretmanit ishte liruar për në shtëpi, por për shkak se i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, me datën 15.05.2020 ishte dërguar përsëri për trajtim mjekësor ku edhe kishte ndërruar jetë. Me autorizim të prokurorit është iniciuar rast i cila vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Ndryshe, vajza 15-vjeçare nga Drenasi A.M, ka ndërruar jetë në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve më 15 maj, pas tre ditësh ankesë për dhimbje në bark.

Babai i të ndjerës Anita Ahmeti, ka akuzuar mjekët në Klinikën e Pediatrisë dhe ata të Klinikës së Kirurgjisë për neglizhevencë.