Prokuroria Speciale: Janë identifikuar 44 të dyshuar për masakrën e Dubravës

Prokuroria Speciale e Kosovës i është përgjigjur akuzave të deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, për mos-hetim të masakrës së Dubravës, duke konfirmuar se janë identifikuar 44 të pandehur. Dugolli, një nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës të para 23 vjetëve, të enjten në një konferencë për media kërkoi që “Prokuroria të zgjohet nga gjumi” për rastin.

Në përgjigjen e Prokurorisë Speciale bëhet e ditur se dosja penale është riaktivizuar pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale me të cilin u hoq afati i hetimeve dhe u lejua gjykimi në mungesë. Para kësaj kohe, rasti ishte i pezulluar për shkak të mungesës së të pandehurve.

Deri tash, sipas Prokurorisë, janë identifikuar 60 të dëmtuar në rastin e Dubravës. Ata janë intervistuar, përfshirë edhe Dugollin, ka thënë Prokuroria, që ka bërë të ditur se deputeti i VV-së u intervistua më 6 nëntor 2013.

Janë identifikuar edhe 44 të pandehur që dyshohen për përfshirje në kryerjen e veprës penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Në lidhje me këtë rast janë identifikuar gjashtëdhjetë (60) të dëmtuar dhe njëqind (100) dëshmitarë të cilët janë intervistuar nga organet e rendit, ka bërë të ditur Prokuroria.

“PSRK njofton se janë duke ndërmarr veprime procedurale hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit, mirëpo për shkak të konfidencialitet të procedurës, nuk mund të ndajë më shumë informacione me publikun”, thuhet në sqarim të PSRK-së.

Në masakrën e para 23 vjetëve u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.