Prokurorja, Javorka Perlinqeviq ka kërkuar dënimin maksimal, burgim të përjetshëm, për Naim Murseli dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj.
Gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare, prokurorja theksoi se nga provat e shqyrtuara është vërtetuar se Murseli ka pasur rol aktiv në planifikimin dhe organizimin e krimit, duke vepruar me motive përfitimi financiar apo moral.
Sipas saj, ngjarja ishte paraqitur si grabitje, ndërsa viktima ishte trajtuar si “dëm kolateral”.
Në seancë u theksua gjithashtu se akti i vrasjes është kryer nga Granit Plava, i cili dyshohet se ka përdorur armë të siguruar përmes Murselit.
Një person tjetër i përfshirë, sipas aktakuzës, ka ndërmjetësuar në sigurimin e armës dhe vendosjen e kontakteve mes të dyshuarve.
Prokuroria ka bërë të ditur se të akuzuarit përballen edhe me akuza shtesë për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, në bazë të dispozitave të Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Në kërkesën përfundimtare, Perlinqeviq i ka propozuar gjykatës që të shpallë fajtorë të gjithë të akuzuarit, duke theksuar se mënyra e kryerjes së krimit, sjellja pas ngjarjes dhe përpjekjet për manipulim të opinionit publik rëndojnë më tej pozitën e tyre.
Ajo ka shtuar se nuk ekzistojnë rrethana lehtësuese në këtë rast.
Prokuroria i ka kërkuar gjykatës që, në përputhje me nenin 364 të KPRK-së, të shqiptojë dënimin maksimal për veprën penale “vrasje e rëndë”, përkatësisht burgim të përjetshëm.








