Protesta masive në Izrael, pas shkarkimit të Ministrit të Mbrojtjes

Dhjetëra mijëra izraelitë mbushën rrugët e qyteteve anembanë vendit të dielën në mbrëmje, në një shfaqje spontane indinjate pasi kryeministri Benjamin Netanjahu shkarkoi befasisht ministrin e tij të mbrojtjes pasi ai sfidoi planin e udhëheqësit izraelit për reformën e gjyqësorit.

Protestuesit në Tel Aviv bllokuan një autostradë kryesore dhe ndezën zjarre të mëdha, ndërsa policia u përlesh me protestuesit që u mblodhën para shtëpisë së z. Netanjahu në Jeruzalem dhe në një moment të caktuar thyen kordonin e sigurisë.

Trazirat thelluan një krizë disamujore mbi planin e kryeministrit Netanjahu për të bërë ndryshime të thella në sistemin gjyqësor, gjë që ka shkaktuar protesta masive, ka alarmuar udhëheqësit e biznesit dhe ish-krerët e sigurisë dhe ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ngushtë.

Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, sinjalizoi se kryeministri dhe aleatët e tij do të vazhdojnë këtë javë me hapat e planit për ndryshime. Z. Gallant ishte anëtari i parë i lartë i partisë Likud në pushtet që foli kundër reformës, duke thënë se ndasitë e thella po kërcënonin të dobësonin ushtrinë.

Por pasi një mori protestesish vërshuan në rrugët deri në orët e vona të natës, ministrat e partisë Likud filluan të shfaqin gatishmërinë për t’u tërhequr. Ministri i Kulturës Micky Zohar, një person i besuar i z. Netanjahu, tha se partia do ta mbështeste nëse ai vendos të ndalojë ndryshimet në gjyqësor.

Në një deklaratë të shkurtër, zyra e z. Netanjahu tha të dielën vonë se kryeministri kishte shkarkuar z. Gallant. Kryeministri Netanjahu më vonë shkroi në Twitter se “ne të gjithë duhet të qëndrojmë të fortë para kundërshtimit.”