Protestojnë inspektorët e komunës së Prishtinës, kërkojnë të hetohet vrasja e kolegut të tyre

Inspektorët e Komunës së Prishtinës kanë protestuar për shkak të vrasjes së ish-kolegut të tyre ditë më parë, duke kërkuar që të hetohet ky rast nga organet e drejtësisë. 

Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se do të kenë bojkot të punës për rreth dy orë.

Inspektori Bujar Abazi tha se po protestojnë për të shprehur revoltën dhe pakënaqësinë ndaj vrasjes së kolegut të tyre në vendin e punës.

“Siç e dini dhe jeni te informuar të gjithë vrasja e kolegut tonë Nazmi Rrustemi ka ndodhur në vendin e punës ne afërsi të mjetit zyrtar dhe në orar të punës.  Këto rrethana ende nuk janë sqaruar nga organet kompetente”, tha ai

Ai tha se inspektorit është alarmimi fundit për të gjitha institucionet që të kenë për bazë shqetësimet tyre.

“Secili prej nesh kemi raste të hapura te kanosjeve e kërcënimeve dhe tentim sulmeve fizike ku prej tyre tashmë edhe vrasja e kolegut tonë ku ironia e kësaj pune është  që ende nuk kemi ndonjë epilog rreth rasteve të hapura deri me tash”, u shpreh ai.

Ai thotë se përveç anës së sigurisë që ende nuk e kanë zgjidhur, nuk janë ta pajisur me mbrojtje, kanë probleme edhe sa i përket anës kompensuese të rrezikshmërisë, raporton EO.

“Për ketë arsye ne kërkojmë nga institucionet përgjegjëse që sa me shpejt te bëjnë zbardhjen e rastit të kolegut tonë dhe rasteve tjera të lëna anash, gjykatat të bëjnë prioritet lëndët e hapura prej neve t’ju bëjnë zgjidhje të na mundësoje mbrojta nga rreziku kjo nënkupton të kemi edhe armëmbajtje.

“…te pjesa e policisë të bëhen udhëzimet administrative të nevojshme nga ministria e Brendshme në mënyrë qe të funksionalizohet policia komunale ku do të na dilte në ndihmë shumë në profesionin tonë që e ushtrojmë me vështirësi. Dhe të bëhet kompensimi sa i përket rrezikshmërisë”, theksoi ai.

Sipas tij, me anë të kësaj proteste vazhdojnë me një bojkot të punës rreth dy orë ku shprehin revoltën dhe pakënaqësinë.

Ai tha se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera për të cilat, tha se opinioni do të njoftohet me kohë.

Nazmi Rrustemi një nga inspektorët më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës është gjetur i vdekur më 19 dhjetor në afërsi të Liqenit të Badrovcit.