Protestojnë punëtorët e Postës: Kryeministri Kurti të ndërhyjë, keqpërdorimet po bëhen në emër të partisë së tij

Punëtorët e Postës së Kosovës kanë protestuar duke kërkuar dorëheqjen e Bordit të Përkohshëm dhe të kryeshefës ekzekutive dhe vartësve të saj.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Postës së Kosovës, Liridon Mirena në një konferencë për medie ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të ndërhyjë në këtë ndërmarrje, pasi sipas tij, keqpërdorimet po bëhen në emër të tij dhe partisë së tij.

“Jemi këtu për t’iu paralajmëruar për masat që do t’i ndërmarrim në rast se nuk përmbushen kërkesat tona. Kërkesat janë dorëheqja e parevokueshme e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, ushtrueses së detyrës së kryeshefit ekzekutiv, ushtruesit të detyrës së Burimeve Njerëzore, drejtoreshës së Operacioneve si dhe dorëheqja e Komisionit të disa ristrukturime që janë duke ndodhur”, ka thënë Mirena, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se plaçkitja e 40 mijë eurove, ka dëmtuar imazhin e Postës dhe se ka rrezikuar jetën e punëtorëve.

“Dorëheqja kërkohet për shkak të keqmenaxhimit të Postës dhe punëtorëve. Heshtja pas plaçkitjes së 40 mijë eurove, me ç’rast jo vetëm që është dëmtuar rëndë Posta e Kosovës, por edhe punëtorët janë rrezikuar me jetë, kjo është papërgjegjësi e pafalshme të kryeshefës ekzekutive dhe menaxhmentit. Me veprimet e tyre, kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe të ardhmen e Postës. Çdo gjë që po flasim e kemi me dëshmi dhe fakte”, ka thënë ai.

Në fund, Mirena ka kërkuar ndërhyrjen e Kutit për atë sic ka thënë ai, lirimin e Postës nga përfituesit e pushteteve.

“Kërkojmë nga kryeministri Albin Kurti që të ndërhyjë urgjentisht, sepse të gjitha këto keqpërdorime po bëhen në emër të tij dhe partisë së tij. Kërkojmë nga Kurti që ta liroj Postën për përfituesit dhe servilët me të gjitha pushtetet dhe partitë”, ka përfunduar Mirena.