Protestojnë punëtorët shëndetësorë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) do të mbajë sot protestë para ndërtesës së Qeverisë.

Qëllimi i kësaj Proteste është senzibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor.

Kërkesa e FSSHK-së është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga Janari i vitit 2022.

“Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike por, kërkesë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statutit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësor në veçanti”, thekson FSSHK.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik.