Protestojnë specializantët: Mjekët po ikin nga Kosova, momenti i fundit kur shteti duhet të reflektojë

Numër i madh i specializantëve kanë protestuar të enjten para Administratës Qendrore të QKUK-së. Protesta vjen si rezultat i mospërgjigjes ndaj kërkesave të specializantëve drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë.

Ata kanë kërkuar specializime të rregullta e pagesën e kujdestarive.

Nol Smajli, specializant i Gjinekologjisë, tha se kërkesat e tyre janë bazike dhe të realizueshme.

Sipas tij, kërkesa për t’u larguar nga Kosova kanë bërë 150 mjekë dhe se 167 specializantë veçse janë në proces të ikjes.

“Po, kemi probleme të shumta, diskriminime të shumta. Jemi drejtuar qe një vit me kërkesa të ndryshme ndaj Qeverisë me na zgjidh këto probleme. 600 specializantë me vetëfinancim kërkojmë kalim të rregullt, paga të rregullta dhe problemi është që kujdestaritë nuk po na paguhen”.

“Ne tash e 8 muaj marrim subvencione, kanë disfavore dhe nuk paguhen shtesat për COVID. Mbajnë kujdestari pa pagesë. Diskriminim është te gratë shtatzëna, të cilat nuk paguhen me 70% pagës. Kanë qenë të përjashtim edhe kolegët tanë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”, ka deklaruar ai.

“Na e dimë trendin e ikjes së mjekëve, 150 mjekë drejt perëndimit. 167 specializantë janë në proces të ikjes për jetë ma të mirë. Na jena e ardhmja e sistemit shëndetësor me përqendrua fokusin te ne me i dëgjuar hallet tona. Shteti i Kosovës duhet neve me na pas prioritet, sepse ka me pas mungesë specialistëve. Është momenti i fundit kur duhet me reflektuar shteti. Ne do të insistojmë, përndryshe janë shumë arsye pse po ikin kolegët”.

Specializantët do të protestojnë edhe para Qeverisë së Kosovës.