Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse dosjet “Epstein” flasin për Papa Benediktin XVI dhe “bankierin e Zotit”?

Pse dosjet “Epstein” flasin për Papa Benediktin XVI dhe “bankierin e Zotit”?

Misteret e Vatikanit midis dorëheqjes papnore dhe intrigave financiare
Pyetja e Jeffrey Epstein rreth dorëheqjes historike të Papa Benediktit XVI në vitin 2013 ka rihapur një kapitull të vjetër të intrigave që lidhin Vatikani me skandalet financiare.

Në email-et e bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, financieri pedofil kërkonte shpjegime mbi vendimin e Joseph Ratzinger, duke marrë si përgjigje një analizë që daton që nga koha e falimentimit të “Banco Ambrosiano” dhe vdekjes misterioze të Roberto Calvi-t.

I njohur si “bankieri i Zotit”, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Institutin për Vepra Fetare (IOR), Calvi u gjet i varur nën Urën Blackfriars në Londër në vitin 1982, një ngjarje që ende mbetet e rrethuar nga mistere, midis gjurmëve të Cosa Nostra-s dhe strukturave të pushtetit.

Interesi i Epstein për këtë çështje, u nxit nga korrespodenca me gazetarin investigativ Edëard Jay Epstein, i cili argumentonte se ndryshimi më domethënës në Vatikan nuk ishte largimi i Papës, por transformimi i udhëheqjes në bankën e Vatikanit.

Sipas këtyre dokumenteve, IOR si një institucion i një shteti sovran ishte i përjashtuar nga rregullat ndërkombëtare të transparencës, duke u kthyer në një zonë gri për transferta parash pa kontroll. Në vitin 2012, presidenti i atëhershëm i IOR-it, Ettore Gotti Tedeschi, u shkarkua pas një morie akuzash për korrupsion dhe pastrim parash, ndonëse ai më vonë u shpall i pafajshëm.

Ky konflikt i brendshëm buronte nga përpjekjet e Benediktit XVI për të reformuar sistemin financiar, duke hasur në rezistencë të ashpër nga “armiqtë e brendshëm”. Emailet sugjerojnë se Gotti Tedeschi kishte frikë për jetën e tij sepse zotëronte dosje komprometuese mbi sekretet e Selisë së Shenjtë, të cilat u bënë pjesë e skandalit Vatileaks.

Emërimi i Ernst von Freyberg në krye të bankës, vetëm disa ditë para njoftimit të dorëheqjes së Papës, shihet si një lëvizje kyçe që parapriu largimin e Ratzinger. Jeffrey Epstein ia dërgoi këto informacione Larry Summers-it, duke treguar se sa thellë shtrihej interesi i tij për këto mekanizma pushteti.

Edhe pse është e vështirë të provohet një lidhje e drejtpërdrejtë shkakësore mes skandalit të Roberto Calvi-t dhe dorëheqjes së Benediktit XVI, këto dosje dëshmojnë se si vendimet më të larta shpirtërore në Vatikan, janë shpesh të ndërthurura me interesa të thjeshta botërore dhe luftëra për kontrollin e parave me origjinë të dyshimtë. /tesheshi