Pse duhet të aktivizoni Eco Mode nëse keni një kompjuter me procesor Ryzen 7000

Çipet e reja Ryzen 7000 nga AMD jo vetëm që konsumojnë më tepër energji, por gjithashtu gjenerojnë shumë të tepër nxehtësi.

Prezantimi i procesorëve Ryzen 7000 sjell disa prej çipeve më të shpejta në treg. Gamerat dhe përdoruesit e kompjuterëve Workstation kanë shumë çfarë të përfitojnë nga një performancë shumë e lartë.

Megjithatë kjo performancë ka një kosto dhe ajo përkthehet në nxehtësi. Çipet e reja Ryzen 7000 nga AMD jo vetëm që konsumojnë më tepër energji, por gjithashtu gjenerojnë shumë të tepër nxehtësi.

Gjatë testimeve si në Cinebench do të shikoni temperaturën të shkojë menjëherë në 95 gradë celsius në modelet X ose në gaming të prekin nivele prej 70 gradë celsius. Kjo ka bërë që përdoruesit të investojnë para në ftohësa më të mirë ose deri në ftohët të lëngshëm AIO.

Në Janar AMD lançoi variantet e reja jo-X të Ryzen 7000 të cilët kanë një TDP prej 65W dhe limit përfundimtar konsumi prej 90W duke reduktuar ndjeshëm temperaturën dhe si rezultat kërkojnë ftohësa më modestë.

Nëse jeni prej adoptuesve të hershëm të gjeneratës së re, do të thotë se keni blerë një variant X prej 105-170W por me një ndryshim të vogël në BIOS ose përmes Ryzen Master mund ta bëni procesorin shumë më të lehtë për tu mbajtur në temperaturë.

Ja sesi të aktivizoni Eco Mode

Softueri Ryzen Master është përditësuar për të mbështetur Ryzen 7000 dhe tani ka një funksionalitet quajtur Eco Mode. Mjafton të klikoni “Eco” dhe më pas Apply.

Softueri automatikisht do të kufizojë energjinë e procesorit tuaj Ryzen në 65W. Kjo do të thotë se Ryzen 7600X dhe 7700X që kanë TDP prej 105W do të bien automatikisht në 65W. Esencialisht është sikur të keni tashmë një variant jo-X Ryzen 7600 ose Ryzen 7700 të cilët janë shumë më të lehtë për tu ftohur.

Ryzen 7900X dhe Ryzen 7950X të cilët kanë TDP prej 170W gjithashtu do të kufizohen në vetëm 65W. Normalisht do të ketë një reduktim performance por testuesit e këtyre çipeve kanë vënë re se kjo rënie është thuajse e papërfillshme në produktivitet dhe gaming.

Duke përdorur Eco Mode FPS bien mesatarisht nga 203 në 195. Pra keni një tkurrje të ndjeshme të temperaturës dhe konsumit të energjisë duke sakrifikuar vetëm 4 përqind performancë.

Ryzen 9 7900X me Eco Mode madje arrin të tejkalojë në performancë procesorë si Core i9-12900K.

Në produktivitet do të vihet re një performancë më e ulët. Për shembull Ryzen 9 7950X pa asnjë kufizim prodhon 37,973 pikë ndërsa në Eco 65W prodhon 28655 pikë dhe Eco 105W 34,300 pikë.