Në librin e tij “Misteri i Dhimbjes”, kritiku i njohur irlandez C. S. Lewis ngre një pyetje ironike:
Pse Zoti, në përfytyrimin e sotëm të shumë të krishterëve, është më afër figurës së një “gjyshi të butë”, sesa një “babai” siç pretendon doktrina e tyre?
Dihet që doktrina aktuale e krishterimit mbështetet neë trinitet, dhe lutja e tyre e njohur fillon me:
“Ati ynë që je në qiej…”
Mirëpo, sipas Lewis, mënyra se si e trajtojnë shumë të krishterë Zotin në kohët moderne nuk i ngjan më teologjisë së hershme të tyre.
▪️Babai, nga natyra, vendos kufij, qorton gabimin, ka urtësi të fshehtë, ka rregulla edukative dhe nuk jep liri të pakontrolluar.
▪️Gjushi, përkundrazi, është tolerues, plot lehtësi, jep çdo gjë që kërkojnë nipërit, shmang ndëshkimin dhe shpesh anashkalon rregullat që vendosin prindërit.
Sipas kësaj logjike, shumë besimtarë të sotëm i qasen Zotit si një “gjysh i mirë”, e jo si Zot me ligj, rend dhe vlera.
Në vitin 2005, sociologu Christian Smith vërejti se shumë të rinj fetarë në Perëndim nuk besonin më te doktrina e krishterimit, por te një formë e re besimi që ai e quajti:
“Deizmi etik-terapeutik” (Moralistic Therapeutic Deism – MTD)
Në këtë model:
• Zoti shndërrohet në një qenie që ka për detyrë t’i lehtësojë stresin besimtarit,
• t’i plotësojë dëshirat,
• ta bëjë të ndihet mirë me veten,
• dhe qëllimi i Tij kryesor është t’i bëjë njerëzit… të lumtur.
Pra, Zoti “me porosi”, një Zot që shërben për ta qetësuar, jo për t’i udhëhequr.
Kjo është shenjë e qartë e shpirtit bashkëkohor, qoftë te të krishterët, myslimanët, budistët apo ateistët:
obsesioni që bota të bëhet një parajsë tokësore, ku çdo gjë – madje edhe feja – duhet të ketë vetëm një funksion:
“Të na bëjë të lumtur, shumë të lumtur… ose nuk na duhet.”
Një Zot pa zemërim, që u vjen njerëzve pa mëkat, për t’i futur në një parajsë pa gjykim.
Nuk është kjo feja
Zoti është më i madh se çdo përfytyrim njerëzor. Ai nuk është “atë”, “gjysh”, “bir” apo ndonjë figurë njerëzore.
Ai është i Pakrahasueshëm, larg projeksioneve tona sentimentale dhe kërkesave tona fëminore për një Zot që na llaston.
Edhe në diskursin bashkëkohor islam shfaqen tendenca të ngjashme:
të përfytyrojnë një Zot vetëm si Mëshirues, dhe të anashkalojnë aspektet e Tij të tjerë si Madhështia, Drejtësia dhe Ndëshkimi.
Të gjithë Emrat e Tij të Bukur janë të vërtetë, të plotë dhe të pandashëm.
Zoti është i Butë, por edhe i Fuqishëm.
Është Falës, por edhe i Drejtë.
Është Durimtar, por edhe Hakmarrës ndaj padrejtësisë.
Ai nuk harron asnjë të drejtë të mohuar dhe do ta kthejë atë Ditën kur nuk humbet as pesha e një kokrre të vogël.
Feja e dëshirave: “Zoti që plotëson, por nuk kërkon”
Sot po përhapet një version materialist i fesë: fe që jep shërbime, por nuk kërkon përgjegjësi; Zot që realizon dëshirat tona, por nuk pyet për detyrat tona.
Kjo shfaqet në fraza shumë të zakonshme si:
“Mes nesh dhe dëshirës sonë është vetëm një dua!”
Pa pyetur:
• A është kjo dëshirë e drejtë?
• A do të na shpjerë drejt dëmshmërisë, shkatërrimit, kryelartësisë apo devijimit moral?
• A ka arsye pse Zoti mund ta mos e plotësojë?
Rreziku më i madh shpirtëror i kohës sonë
sot shumë njerëz duan:
• Falje pa pendim
• Shërim pa ilaç
• Parajsë pa punë
• Pastërti pa pastrim
• Sukses pa provim
• Lartësim pa sakrificë
• Ndryshim… pa u ndryshuar vetë
Ky është deformimi më i madh që i ndodh fesë kur përzihet me egoizmin dhe materializmin e epokës moderne.
Hoxhë Halil Avdulli









