Pse është e domosdoshme reforma (përtërirja) në mendimin islam?

Hoxhë Halil Avdulli

Reforma, në kuptimin klasik nuk është një luks intelektual apo një prirje moderne; ajo është një nevojë strukturore për mbijetesën e çdo qytetërimi.

Kur shqyrtojmë historinë e mendimit islam, vërejmë se rënia intelektuale e myslimanëve nuk fillon në periudhat e përtërirjes, ringjalljes, por në periudhat e imitimit të verbër (taklid).

Edhe pse proceset e përtërirjes mund të prodhojnë ide të devijuara, rreziku i tyre mbetet i kufizuar, sepse në kohërat e përtrirjes arsyeja është e zgjuar, vigjilente dhe e pajisur me ndjeshmëri kritike. Mendja, në një ambient rizgjuar, ka aftësinë të identifikojë devijimet dhe t’i korrigjojë ato.

Në të kundërt, kur një ide e shtrembër përhapet në kohën e imitimit, ajo depërton në trupin shoqëror pa asnjë filtër kritik dhe pa asnjë mekanizëm korrigjues, sepse mendimi është i plogështuar, ndërsa shoqëria ndjek verbërisht autoritetet, pavarësisht drejtimit ku e çojnë.

Kështu, koha e reformes krijon hapësirë për rishikim kritik dhe vetëkorrigjim, ndërsa koha e imitimit e zhyt shoqërinë në një humnerë ku udhëhiqet pa reflektim, pa analizë dhe pa vetëdije intelektuale.

Reforma nuk është shkëputje nga tradita, por forca që e mbron traditën nga ngurtësimi dhe keqinterpretimi.

Ajo është mekanizmi që i lejon mendimit islam të:

-mbetet i gjallë

-të ruajë besueshmërinë,

-të përballojë sfidat moderne, dhe

-të drejtojë shoqërinë me urtësi dhe kthjelltësi.

Hoxhë Halil Avdulli