Ballina Artikuj Pse nuk ndryshova?

Pse nuk ndryshova?

Dr. Zenel Hajdini

Ramazani nuk është thjesht një muaj në kalendarin islam; ai është një stinë e transformimit shpirtëror, një periudhë në të cilën zemrat zbuten, ndërgjegjia zgjohet dhe shpirti i afrohet më shumë Krijuesit të tij. Është muaji në të cilin njeriu ftohet të ndalet, të reflektojë dhe të rishikojë drejtimin e jetës së tij. Në këtë muaj të bekuar, dera e pendimit hapet, forcohet lidhja me Allahun dhe shtohen mundësitë për t’u çliruar nga zakonet, mëkatet dhe dobësitë që e kanë mbërthyer shpirtin gjatë vitit.
Agjërimi nuk është vetëm ndalim nga ushqimi dhe pija, por një ushtrim i thellë i vullnetit dhe karakterit. Ai e mëson njeriun të kontrollojë dëshirat, të pastrojë gjuhën, të ruajë shikimin dhe të disiplinojë zemrën. Çdo ditë e tij është një mundësi për të hedhur një hap drejt ndryshimit të vërtetë.
Në Ramazan, njeriu e ndien më shumë se kurrë se mund të jetë më i mirë se dje. Ai falet më shumë, lexon më shumë, jep më shumë, fal më shumë… Ai provon një version më të pastër të vetes së tij, dhe pikërisht kjo është dëshmia më e fortë se ndryshimi është i mundur. Sepse nëse mund të përmbahesh për hir të Zotit për tridhjetë ditë, atëherë mund të ndryshosh edhe përtej tyre.
Prandaj, para se të pyesim veten: “Pse nuk ndryshova?”, duhet të pranojmë një të vërtetë thelbësore: Ramazani është krijuar si një shkollë e ndryshimit. Ai na jep mjetet, atmosferën dhe motivimin për t’u transformuar.
Realisht njeriu mund të ndryshojë… Por jo thjesht sepse ka ardhur Ramazani, por sepse zemra ka vendosur të ndryshojë. Ramazani është mundësi, ndërsa vendosmëria është çelësi.
Allahu thotë në Kuran: “Vërtet, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten.” (Er-Ra’d, 11)
Ky ajet e vendos përgjegjësinë te ne. Ramazani krijon klimën shpirtërore të ndryshimit: zemra zbutet, egoja dobësohet, ndërgjegjia zgjohet. Në këtë atmosferë, njeriu e ka më të lehtë të marrë vendime që ndoshta i ka shtyrë prej kohësh; të lë një ves, të ndërpresë një padrejtësi, të nisë një rrugë të re adhurimi…etj.
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë, por më të mirët prej tyre janë ata që pendohen.” (Tirmidhiu)
Ramazani është sezoni i pendimit. Është koha kur dera e mëshirës hapet, kur shejtanët prangosen dhe kur zemra e ndjen më afër thirrjen për kthim. Pendimi në këtë muaj nuk është vetëm ndjenjë faji, është vendim për transformim.
Historia islame na jep shembuj të fuqishëm ndryshimi. Omeri r.a., ishte dikur kundërshtar i ashpër i Islamit, por kur zemra e tij u hap për të vërtetën, ai u bë një nga shtyllat më të forta të besimit. Ndryshimi i tij ishte i thellë dhe i sinqertë, dhe kjo është dëshmi se kur njeriu vendos, Allahu i hap rrugët.
Ramazani është si një stacion rimbushjeje shpirtërore. Por, ai jep aq sa ne jemi të gatshëm të marrim. Dikush del nga Ramazani me zemër të transformuar; dikush tjetër del me zakone të njëjta si më parë. Dallimi qëndron te sinqeriteti dhe përpjekja e gjithsecilit.
Pra, njeriu mund të ndryshojë gjatë Ramazanit. Sepse ai muaj nuk vjen vetëm për të kaluar ditët, por për të formuar zemrat. Dhe kur zemra ndryshon, ndryshon edhe jeta.
Megjithatë, disa nga njerëzit nuk e ndjejnë ndryshimin, jo sepse Ramazani nuk ka fuqi për të ndryshuar, por sepse ndonjëherë ne e reduktojmë atë në formë dhe harrojmë përmbajtjen. Kur Ramazani mbetet vetëm ndryshim orari; syfyr, iftar, pak lodhje fizike, por pa reflektim të brendshëm, atëherë ai humb thelbin e tij transformues.
Nëse qëllimi i agjërimit është devotshmëria, apo ndjenja se Allahu të mbikqyr, atëherë kur mungon kjo vetëdije, mungon edhe ndryshimi. Agjërimi nuk është qëllim në vetvete; ai është mjet për të arritur një gjendje më të lartë shpirtërore. Dhe kur mjeti mbetet pa qëllim, ai kthehet në rutinë.
Prandaj, nëse hyjmë në Ramazan me qëllim të qartë për t’u përmirësuar, ai bëhet dritë. Nëse hyjmë vetëm nga zakoni, ai kalon si çdo muaj tjetër.
Pra, thelbi nuk është vetëm kryerja e veprës, por cilësia e saj, në këtë rast, përulësia, përqendrimi, vetëdija…
Ramazani kërkon zemër të zgjuar, jo vetëm stomak të zbrazët. Ai kërkon reflektim, pendim, falje, ndryshim konkret. Kur këto mungojnë, edhe përjetimi bëhet i zbehtë.
Në fund, ndryshimi nuk është automatik, ai është fryt i përpjekjes së sinqertë. Ramazani është dritë e fortë; por nëse zemra është e mbyllur, edhe drita nuk hyn.

Dr. Zenel Hajdini