Ankaraja forcon mbrojtjen saudite kundër dronëve dhe raketave të huthinjve
Turqia po përgatitet të forcojë mbrojtjen ushtarake të Arabisë Saudite, ndërsa sulmet e rebelëve huthinj nga Jemeni vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë e mbretërisë dhe infrastrukturën e saj strategjike.
Ankaraja po shqyrton dërgimin e pilotëve, avionëve, personelit ushtarak dhe pajisjeve shtesë të mbrojtjes, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me Riadin dhe Pakistanin. Megjithatë, pavarësisht këtij angazhimi, qeveria turke përjashton mundësinë e përdorimit të territorit saudit si pikënisje për sulme kundër Jemenit.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, sqaroi të enjten se pakti i Mekës, që synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, ka karakter ekskluzivisht mbrojtës dhe nuk parashikon ndërhyrje ushtarake kundër huthinjve brenda territorit jemenas.
“Kjo nuk është një marrëveshje sulmimi. Turqia nuk do të dërgojë trupa në territorin e një vendi tjetër për të nisur një sulm prej andej”, deklaroi Fidan gjatë një konference për shtyp në Ankara.
Ai bëri të ditur se përgatitjet për paraqitjen e marrëveshjes në parlamentin turk kanë përfunduar dhe se qeveria synon ta dërgojë atë për miratim sa më shpejt.
Autorizimi parlamentar është i rëndësishëm për zgjerimin e pranisë ushtarake turke në Arabinë Saudite, përtej kapaciteteve që mund të vendosen në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.
Sipas Fidan, delegacionet ushtarake do të vlerësojnë nevojat operative të mbrojtjes saudite dhe do të përcaktojnë kontributin që mund të japin Turqia dhe Pakistani.
Synimi është të krijohet një përgjigje e koordinuar ndaj kërcënimeve që vijnë nga Jemeni, pa e shndërruar marrëveshjen në një instrument për zgjerimin e konfliktit.
Pilotë, avionë dhe sisteme kundër dronëve
Sipas informacioneve të publikuara nga Middle East Eye, Turqia planifikon të dërgojë në javët e ardhshme personel shtesë, pilotë dhe avionë për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës saudite. Shtrirja e plotë e këtij angazhimi do të varet nga miratimi i parlamentit turk.
Burime të cituara nga MEE bëjnë të ditur se Ankaraja ka mbajtur që prej vitit të kaluar në Arabinë Saudite ekipe teknike, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të luftës elektronike.
Këto kapacitete janë përdorur për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, veçanërisht të objekteve energjetike, të cilat kanë rëndësi jetike për ekonominë dhe sigurinë e mbretërisë.
Një zyrtar i lartë turk, tha se planet përfshijnë dërgimin e pajisjeve të tjera, teknikëve, ekipeve të reagimit ndaj emergjencave dhe forcave luftarake mbështetëse. Gjithashtu, po shqyrtohet vendosja e një numri të kufizuar forcash speciale në një ose disa baza komanduese saudite.
“Ne nuk planifikojmë të dërgojmë një numër të madh ushtarësh dhe nuk kemi plane për të ndërhyrë drejtpërdrejt në Jemen”, deklaroi zyrtari.
Sipas burimeve të njohura me planet ushtarake, pas miratimit parlamentar Turqia mund të dërgojë një numër ende të papërcaktuar pilotësh dhe avionësh me përvojë, për të ndihmuar në përballimin e dronëve dhe raketave balistike të lëshuara nga Huthinjtë.
Numri i avionëve dhe i personelit që do të angazhohen nuk është bërë ende publik. Bashkëpunimi ushtarak mes Ankarasë dhe Riadit nuk nis nga zeroja.
Një marrëveshje për stërvitje ushtarake, e nënshkruar në vitin 2010, krijon mundësi për bashkëpunim në fusha të caktuara, ndërsa sipas shpjegimeve të zyrtarëve turq, vendosja e forcave shtesë do të kërkojë autorizimin përkatës nga parlamenti.
Diplomacia mbetet një alternativë
Pavarësisht përgatitjeve ushtarake, Ankaraja nuk e sheh përfshirjen e saj si një hap drejt ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në konfliktin jemenas.
Qëllimi është të ndihmojë Arabinë Saudite të mbrojë territorin dhe infrastrukturën e saj nga sulmet ajrore, pa u përfshirë në operacione luftarake brenda Jemenit.
Kjo qasje pasqyron përpjekjen e Turqisë për të mbështetur një partner rajonal, duke kufizuar njëkohësisht rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.
Një ndërhyrje e drejtpërdrejtë do ta përfshinte Ankaranë në një përballje të re ushtarake, përtej objektivit të deklaruar të mbrojtjes së Arabisë Saudite.
Një zyrtar i lartë turk, theksoi se Ankaraja vazhdon të besojë se përpjekjet diplomatike mund të japin rezultate në muajt e ardhshëm. Kështu, forcimi i mbrojtjes saudite synon të përmirësojë aftësinë e mbretërisë për t’iu përgjigjur sulmeve, pa i mbyllur rrugën e negociatave.
Në këtë kuadër, pakti i Mekës shërben si instrument për koordinimin e Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit përballë kërcënimeve të përbashkëta. Për Ankaranë, sfida është të garantojë mbështetje konkrete për Riadin, por pa e kaluar kufirin mes bashkëpunimit mbrojtës dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në luftën e Jemenit. \tesheshi





