Publikohen formacionet zyrtare, sa shumë surpriza te Shqipëria

Në prag të duelit të dytë në Ligën e Kombeve përballë Izraelit, kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një test miqësorë, ku përballë do të ketë Jordaninë. Edhe pse favorit në letër, tekniku i kuqezinjve, Christian Panucci është i qartë për atë që do të kërkojë në këtë 90 minutësh, shkruan ora news.

Italiani ka pohuar se ndaj Jordanisë do të tentojë vetëm fitoren, ndërsa është shprehur se përballë tyre do të luajnë futbollistët më pak të aktivizuar gjatë kohëve të fundit. Dhe në fakt kjo ka ndodhur, pasi në formacionin e bërë publik pak minuta më parë, Panucci i ka besuar një njëmbëdhjetëshe me moshë mjaft të re.

Etrit Berisha do të mbrojë katërkëndëshin, ndërsa para tij do të qëndrojnë Mavraj, Xhimsiti, Binaku dhe Enea Mihaj. Mesfusha do i besohet Lilës, Ramadanit dhe Xhakës, ndërsa në majën e sulmit do të vendoset Rey Manaj, i ndihmuar nga Gavazaj e Grezda.

Miqësorja mes Shqipërisë dhe Jordanisë është programuar për tu luajtur në orën 20:00 në “Elbasan Arena”.