Pushteti dhe pushtetarët

Bajram Ramadani

Janë dy emra të ngjashëm por në fakt janë dy koncepte të ndryshme.
Në shtetet e konsoliduara demokratikisht, janë të kuptuara ashtu siç duhet këto koncepte, si nga pushtetarët ashtu edhe nga populli. Kurse në shtetet tranzitive, ka shumë paqartësi rreth këtyre koncepteve; pushtet dhe pushtetarë.
Në shumicën e rasteve kjo bëhet përmes luajtjes së rolit të naivit, e nëse e han pazari, atëherë pushtetarët vazhdojnë, deri sa të i “bjen zhetoni” popullit.
Pushteti është i shenjtë për një shtet, pushteti është ose duhet të jetë i paprekshëm, ai është pronë e popullit, dhe çdo pronë e popullit duhet të trajtohet si e shenjtë. Kurse pushtetarët janë pronë e pushtetit. Dmth. pushteti qëndron mbi të gjithë, askush nuk mund të del mbi pushtetin, e aq më shumë askush nuk guxon ta shpërdoron pushtetin. Çdokush ka të drejtë të synon pushtetin, të arrin tek pushteti, ta fiton atë, por askush nuk ka të drejtë që pushtetin ta llogarisë si pronë të veten, biles duhet të jetë e dënueshme pronësimi i pushtetit nga pushtetarët.
Të pronësuarit e pushtetit, pushtetarët i bën si vendas në sofrën e pushtetit, dhe pastaj vështirë e kanë që të largohen prej tij, sepse pushteti iu duket si atdheu i tyre, derisa jo rrallë edhe “luftojnë” vetëm e vetëm të qëndrojnë në pushtet.
Në fakt pushteti nuk është pronë e tyre por ata janë pronë e pushtetit. Pushteti duhet të i përdorë pushtetarët e jo pushtetarët pushtetin, sepse rruga e pushtetarëve drejt pushtetit është populli, që do të thotë, populli është pushteti, dhe pushteti duhet të jet i tëri në funksion të popullit.

Bajram Ramadani