Putin: Ukraina ka humbur sovranitetin e saj ndaj SHBA-së

Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, duke argumentuar se Ukraina ka humbur “de fakto” sovranitetin e saj dhe është bërë një instrument i Shteteve të Bashkuara.

“SHBA po përdorin Ukrainën si një “dash” kundër Rusisë dhe vendeve të tjera post-sovjetike”, theksoi Putin.

”Uashingtoni po armatos gjithnjë e më shumë Ukrainën me armë të rënda në luftën e saj kundër forcave ruse, duke injoruar faktin se vendi po kërkon një bombë bërthamore”, tha Putin.

“Dihet gjithashtu se ka plane për një provokim për të përdorur një të ashtuquajtur bombë të pistë”, tha ai edhe një herë, një pretendim që u kritikua nga Kievi dhe aleatët e tij në Perëndim si “marrëzi”.

Udhëheqja ruse ka thënë prej ditësh se Ukraina synon të përdorë një bombë të pistë, një mjet shpërthyes konvencional që shpërndan materiale radioaktive, pa dhënë asnjë provë.

Nga ana tjetër, Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane kanë thënë se është Moska ajo që mund të planifikojë një sulm të tillë ndaj Ukrainës. /atsh