Putin zotohet të arrijë “të gjitha qëllimet” në Ukrainë

Presidenti rus tha se një përplasje midis Rusisë dhe Ukrainës ishte e pashmangshme sepse Perëndimi po e shndërronte Ukrainën në një bazë anti-ruse

Presidenti rus Vladimir Putin tha se të gjitha qëllimet e “operacionit special ushtarak” në Ukrainë do të arrihen, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Kozmodromin Vostochny përpara takimit me presidentin bjellorus, Aleksandr Lukashenko, Putin tha se një përplasje midis Rusisë dhe Ukrainës ishte e pashmangshme sepse Perëndimi po e shndërronte Ukrainën në një bazë anti-ruse.

“Ukraina po shndërrohej në një bazë anti-ruse, rrënjët e nacionalizmit dhe neonazizmit u rritën me kujdes atje, rrënjë që kishin qenë atje për një kohë të gjatë. Posaçërisht ishte rritur neo-nazizmi dhe përplasja e Rusisë me këto forca ishte e pashmangshme, ata vetëm po zgjidhnin kohën për të sulmuar”, tha ai.

Putin vlerësoi veprimet e ushtrisë ruse duke thënë se ushtarakët po luftojnë “me guxim dhe me kompetencë”.

“Nuk ka dyshim se Forcat e Armatosura Ruse do t’i arrijnë qëllimet e tyre. Qëllimet janë absolutisht të qarta, ato janë fisnike. Qëllimi ynë kryesor është të ndihmojmë njerëzit në Donbas, popullin e Donbasit, të cilin ne e njohëm. Kjo duhej të ndodhë sepse autoritetet e Kievit, të shtyra nga Perëndimi, refuzuan të zbatojnë Marrëveshjet e Minskut që synonin një zgjidhje paqësore të problemeve të Donbasit”, tha ai.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagimin ndërkombëtar, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një largim të kompanive globale nga Rusia. /aa