Qetësohet pak situata në veri, mbrëmja sjell uljen e tensioneve

Situatë më e qetë raportohet të jetë sonte në pikë-kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Atje raportohet të ketë ardhur ndërrimi i ri i Forcave Speciale të Policisë, teksa gjatë ditës, një helikopter i KFOR-it ka vëzhguar situatën nga lartësia, shkruan lajmi.net.

Protestuesit të cilët sonte janë më të paktë në numër, po vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku edhe është aktive bllokada, teksa po kërkojnë edhe largimin e policisë nga aty.

Gjatë ditës ka pasur raportime nga mediat serbe për disa incidente, mirëpo që të njëjtat i ka mohuar Policia e Kosovës.

Sot ndërkaq është dita e katërt e bllokadës në këto dy pika kufitare, teksa fuqitë përendimore po bëjnë vazhdimisht thirrje për shtensionim të situatës.

Gjatë ditës, një kërkesë të tillë e pati i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, teksa në një vijë të njëjtë të mendimit ishte edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.