Qeveria e sheh të nevojshme blerjen e helikopterëve, por i mungojnë paratë dhe pilotët

Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë kohë të caktuar se kur do të blihen helikopterët e parë, që do të përdoreshin nga MFSK-së, MPB /Policia e Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Megjithatë, ekzekutivi nuk heqë dorë që Kosova të ketë helikopterë.

Sipas Qeverisë së Kosovës blerja e këtyre pajisjeve ushtarake kërkon planifikim të mirëfilltë si buxhetor dhe teknikë.

“Blerja e helikopterëve kërkon një planifikim të mirëfilltë si buxhetor ashtu edhe teknik. Njësiti i Helikopterëve do të jetë i përbashkët me disa ministri”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim me Publikun për lajmi.net.

Përveç buxhetit, problem tjetër për blerjen e helikopterëve janë edhe mungesa e pilotëve.

FSK aktualisht ka vetëm një pilot helikopteri dhe dy inxhenier/teknik të mirëmbajtjes.

“Për shkak të strukturës, FSK-ja ende nuk është e plotësuar me kuadro dhe pjesëtarë të cilët janë shkolluar dhe trajnuar për drejtimin dhe mirëmbajtjen e helikopterëve. Tani për tani FSK ka një pilot helikopteri dhe dy inxhenier/teknik të mirëmbajtjes.Nga FSK aktualisht është një pjesëtar në kursin për trajnim për pilotë të helikopterit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për lajmi.net.

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës përmes Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka formuar Grupin Punues Ndërinstitucional (pjesë e këtij GP kanë qenë edhe dy përfaqësues të MFSK-së/FSK-së) me qëllim të formimit të Njësitit të Helikopterëve.

Ish-kryeministri Isa Mustafa kishte caktuar një ekip ndërministror i cili ka punuar në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve për t’iu përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës.

“Pas diskutimeve gjithëpërfshirëse, u vendos që të adresohen çështjet procedurale dhe që të vendosen kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve”, thuhej në njoftimin që kishte mbajtur ish-kryeministri së bashku me udhëheqësit e institucioneve përkatëse.

Ish-ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, në janar të vitit 2017 kishte thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë “shumë shpejt” mund të pajisen me helikopterë.