Qeveria e Japonisë miratoi një projektligj për uljen nga 8 në 1 për qind të taksës së konsumit për ushqimet dhe pijet joalkoolike për një periudhë dyvjeçare, me synimin për të lehtësuar barrën mbi familjet që përballen me rritjen e çmimeve të ushqimeve, transmeton Anadolu.
Legjislacioni do të parashikojë gjithashtu një sistem përfitimesh monetare të lidhura me të ardhurat për personat me të ardhura më të ulëta, raportoi agjencia e lajmeve Kyodo News.
Qeveria e kryeministres Sanae Takaichi ia ka paraqitur projektligjin parlamentit dhe synon të sigurojë miratimin e tij gjatë sesionit aktual, i cili përfundon më 12 dhjetor, përpara se ulja e taksës të hyjë në fuqi në prill të vitit 2027.
Kjo do të ishte ulja e parë e taksës së konsumit në Japoni që nga vendosja e saj në vitin 1989.
Norma standarde e taksës së konsumit në Japoni është 10 për qind, ndërsa për ushqimet dhe pijet zbatohet një normë e reduktuar prej 8 për qind, me përjashtim të alkoolit dhe konsumit në restorante.
Sipas Kyodo News, ulja e propozuar pritet të zvogëlojë të ardhurat nga taksat me rreth 10 trilionë jenë (63 miliardë dollarë) gjatë dy viteve.
Takaichi ka argumentuar se masat do të lehtësojnë barrën e rritjes së kostos së jetesës, por qeveria ende nuk ka sqaruar se si do të kompensojë mungesën e të ardhurave buxhetore.
Deputetët e opozitës kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si do të mbulohet kjo mungesë. Plani ka ngritur gjithashtu shqetësime për financat e qeverisjes lokale, pasi komunat përfitojnë një pjesë të të ardhurave nga taksa e konsumit.
“Do të marrim masa për të siguruar që financat e qeverive lokale të mos ndikohen negativisht”, tha Takaichi të premten në Senat.
Lidhur me sigurimin e fondeve, Takaichi tha se kjo çështje do të shqyrtohet “në kuadër të përgjithshëm të reformave buxhetore që do të ndiqen në të ardhmen”.







