Qeveria: Masat ndaj Kosovës do të ishin të padrejta, insistojmë në sundimin e ligjit

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se Kosova ka një qasje parimore ndaj Bashkimit Evropian, edhe në temën e veriut, për të cilën siç tha ai, ka dallime në rrugën e zgjidhjes së çështjes.

Ai deklaroi të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se masat e mundshme që BE-ja do t’ia vendoste Kosovës do të ishin të padrejta, pasi sipas tij, Kosova s’ka sjellje agresore, por parimore.

“Kosova në qendër ka sundimin e ligjit, pra ne në radhë të parë t’i qëndrojmë besnikë sundimit të ligjit, e të kujdesemi që ata që kanë bërë sulme të kenë pasoja. Nuk mund të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga 29 maji. Në veprimet tona të ardhshme që përfshijnë edhe zgjedhjet e parakohshme, të mos na dërgojnë në të njëjtën situatë si në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Pos gatishmërisë, ka edhe qëllimin për të gjetur rrugëdalje drejt një shtensionimi të situatës. Sa i përket masave, nga fillimi kur kanë dalë diskutimet e para për mundësinë e masave të tilla, i kemi konsideruar si të padrejta dhe jo fer në raport me Kosovën, pasi Kosova nuk ka sjellje agresore, por parimore për sundimin e ligjit”, deklaroi Kryeziu.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti po insiston në sundimin e ligjit, e pos situatës, “ne vazhdojmë të konsiderojmë BE-në aleat të pandryshueshëm”.

“Në të njëjtën kohë, në raport me Bashkimin Evropian, edhe kur kemi qenë kritikë, s’kemi qenë as cinikë, e as të hidhëruar. Çështja në veri është në radhë të parë përkushtim i respektimit të procedurave ligjore. Për gjatë gjithë kohës, kemi qenë besnikë ndaj ligjeve dhe Kushtetutës, por edhe i kemi qëndruar besnikë parimeve e vlerave, e bazë e tyre është sundimi i ligjit”, deklaroi ai.

Kryeziu theksoi se nga 29 maji është dëshmuar që prezenca e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veriun e vendit është e nevojshme.

“Çdo ditë ka pasur sulme në drejtim të institucioneve, të policisë, të gazetarëve…Policia me të gjitha kapacitetet për t’i identifikuar sulmuesit, e ka shfrytëzuar autoritetin e saj për t’i ndjekur ata ligjërisht. Kur ke sulmues e ke ndjekje ligjore, ke sundim të ligjit”, tha ai.

Për raportet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëdhënësi i Qeverisë tha se kanë komunikime të rregullta për temat aktuale. Sipas tij, takimet e Kurtit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, janë të rregullta ku shkëmbehen qëndrime mbi situatën.

“Pozitive është që ne s’kemi mospajtime për nevojën për depërshkallëzim dhe mospatime për gatishmërinë nga ana jonë për të arritur deri në atë pikë. Të kemi sundim të ligjit e të kujdesemi që mos të na ndodhë çfarëdo lloj skenari i ngjashëm me atë që kemi përjetuar. Një nga pikat e diktuara është edhe një lloj garanti paraprak që kurdo që zgjedhjet të mbahen, të ketë gjithëpërfshirje të serbëve”, u shpreh ai.

Për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, Kryeziu tha se Qeveria ka prova të mjaftueshme për kryerjen e akteve të shumta terroriste.

“Këto nuk janë grupe kriminale që veprojnë aty për aty e marrin vendim ad hoc, e target i kanë institucionet e Qeverisë dhe qytetarët qe jetojnë nën presion e të kërcënuar. Është parë e nevojshme që të merret një vendim i tillë”, theksoi ai, ndërsa për ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, që votoi kundër këtij vendimi, Kryeziu tha se ai është konstruktiv, por s’e përkrahu shpalljen në këtë moment.

“Kemi të bëjmë me hapin e vendimit më shumë sesa me vendimin si të tillë, sipas Rashiqit, ai nuk pajtohet plotësisht me momentin, me hapat drejt këtij qëllimi, por s’ka ndonjë kundërshtim mbi qëllimin e vendimit, e duhet ta kemi parasysh ai është vlerë e shtuar. Këndvështrimi i tij është unik dhe i ndihmon gjykimit tonë të përgjithshëm. S’e pengon bashkëpunimin tonë me të, besoj se ne e respektojmë këndvështrimi ne tij, por ky është vlerësim i institucioneve të sigurisë”, u shpreh ai.