Qeveria miraton Buxhetin e vitit 2022 prej 2.7 miliardë euro, 8.7% më i lartë se i vitit 2021

Qeveria ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar dhe miratuar Projektligji i Buxhetit për vitin 2022.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këso buxhet asnjëherë më parë nuk ka pasur Kosova.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, tha ai.

Kurti thotë se vetëm në shtatë muaj janë arritur suksese të mëdha me këtë qeveri.

Ai ka thënë se me këtë buxhet do të ndërtohen çerdhe e do të ndihmohen pensionistë.

“Do të ndihmohen nënat e studentët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën. Asnjë pension nuk do të jenë nën 100 euro”.

Kurti thotë se buxhetin e tillë do të bashkohen Prizreni e Tetova dhe do të ndihmohet edhe Lugina e Preshevës.

Kryeministri Albin Kurti u zotua se me dhjetë milionë euro të ndara do të furnizojnë policinë dhe zjarrfikësit me pajisje moderne e të sigurta.

“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë euro apo 1,3 për qind të bruto-produktit vendor. E synimi është që brenda mandatit ta sjellim 2 për qind të bruto-produktit vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, ka thënë ai.

Më tej, ai tha se me kursimet në paga që ka bërë menaxhmenti i ri i AKP-së, ato mjete i kanë orientuar në ushtri dhe si rezultat do të rekrutojnë 800 ushtarë të rinj.

E, ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar buxhetin për vitin 2022, ku theksoi se ka objektivë konsolidimin e ringjalljes ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit.

“Si tersi buxheti i vitit 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8.7% krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti”, deklaroi Murati.