Qeveria në detyrë ka miratuar propozim-vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove, me qëllim mbulimin e policës kufitare, përkatësisht Kartonit të Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit veror.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se këto mjete janë pjesë e masave mbështetëse për diasporën në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas tij, masa do të zbatohet duke filluar nga muaji korrik dhe synon lehtësimin e shpenzimeve për bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë me vetura gjatë periudhës së verës.
“Duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjetet për të mbuluar policën kufitare apo atë siç quhet Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët hyjnë me vetura në vizitë apo për qëndrim në Kosovë përgjatë kësaj periudhe. Prandaj, si e tillë, propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 3 milionë euro, për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”, tha ai.
Kjo masë, sipas Qeverisë, synon të lehtësojë barrën financiare për mërgatën dhe të nxisë vizitat e tyre gjatë sezonit veror në vend.








