Qeveria ndan mbi 4 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale

Shot of shelves stocked with various medicinal products in a pharmacy

Qeveria ka ndarë edhe 4 milionë e 200 mijë euro për blerjen e barnave esenciale, si mjete shtesë për tremujorin e fundit të vitit 2022.

Kërkesa e Shërbimit Spitalor dhe Klinik, Universitar të Kosovës ka marrë mbështetjen e Qeverisë.

“Bëhet fjalë për kërkesën e SHSKUK-së për ndarjen e mjeteve shtesë, për sigurimin e barnave esenciale deri në fund të vitit. Bëhet fjalë për shumën mbi 4 milionë e 200 mijë euro. Mjetet e ndara do të merren nga nën-programi kontigjencat në Ministrinë e Financave”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

KOHA në fund të shtatorit pati raportuar për rrezikun për përballje me kaos në shëndetësinë publike për shkak të mungesës së mundshme të barnave. E gjithë sasia e një lloj bari për trajtimin e kancerit, e planifikuar për sivjet, ishte shpenzuar ende pa hyrë në tetor. Pacientët nisën të kërkonin fonde nëpërmjet apeleve publike për t’i blerë vetë barnat që duhet t’ua sigurojë shteti.

Pas këtij raportimi Qeveria pati ndarë për SHSKUK-në tre milionë euro. Tash ia ka shtuar edhe katër të tjerë.