Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2018, që parasheh të hyra të përgjithshme në vlerën prej një miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të kapin shifrën prej 2 miliardë e 82 milionë euro.
Nga kjo shumë, 687 milionë euro parashihen të jenë investimet kapitale, shpenzimet rrjedhëse 1 miliard 383 milionë euro, ku përfshihen pagat dhe mëditjet, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere dhe rezerva rrjedhëse.
Ndërkohë, është konfirmuar se nga janari i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave për punonjësit e sektorit publik.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në mbledhjen e Qeverisë ka vlerësuar se ky buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje të investimeve kapitale.
Ai, ndërkaq, ka thënë se për vitin 2018 parashikohet rritje ekonomike prej 4.6 për qind.
“Kjo formë e buxhetit shërben si garanci e disiplinës, e cila mundëson ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal. Gjithsesi, në kontekstin e këtij buxheti, ruajtja e stabilitetit makro-fiskal nuk është qëllim në vetvete po parakusht për arritjen e qëllimit përfundimtar të mbështetjes së zhvillimit gjithëmbarshëm ekonomike të vendit”, ka thënë Hamza








