Qeveria për vazhdimin e dialogut: Adresimi i pasojave të sulmit terrorist, prioritet më urgjent

Qeveria e Kosovës thotë se ka prioritete të tjera tani jashtë dialogut me Serbinë që duhet t’i trajtojë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka sjellë krejt një situatë tjetër e se një proces i mirëfilltë i dialogut kërkon “minimumin e standardit të mirëbesimit të ndërsjellë mes palëve”.

“Tani kemi një situatë krejt të re me prioritete tjetra urgjente e që kanë të bëjnë me adresimin e pasojave të sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Ajo çka është e domosdoshme të ndodhë aktualisht është të garantohet siguri për Kosovën dhe vendosen sanksione për Serbinë. Gjatë gjithë kohës Republika e Kosovës ka qenë palë e gatshme për dialog dhe marrëveshje”, i ka thënë ai KOHËS.

Kryeziu ka theksuar se Serbia ka thurur plane për aneksim të veriut, kur në Bruksel bëheshin takime për marrëveshje.

“Sulmi terrorist, paramilitar dhe kriminal i datës së 24 shtatorit, ka vërtetuar se teksa në Bruksel zhvilloheshin takime për zbatim të Marrëveshjes Bazë që në qendër ka njohjen de-facto reciproke, Serbia po përgatiste plane për aneksimit të veriut”, ka përfunduar Kryeziu.