Qeveria thotë se varianti Omicron po përhapet shpejt, kërkohet përditësim i masave për ta parandaluar

Komiteti për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, në takimin e sotëm ka vlerësuar se gjatë ditëve të fundit ka rritje të ndjeshme të rasteve pozitive të Covid-19 në vendin tonë.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, në takimin e sotëm të këtij komiteti u tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt.

“U bëjmë thirrje që të mos nënvlerësohet varianti Omicron. Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete”, thuhet në njoftimin nga takimi i Komitetit për koordinimin dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, transmeton Telegrafi.

Në këtë takim u tha se mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh, mbetet vaksinimi masiv.

“Prandaj vaksinohuni sa më shpejt dhe, në veçanti, merrni dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë. Ky variant i ri kërkon edhe përditësim të masave, me qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve”, u tha në takim.

Më tej thuhet se “masat kanë për qëllim primar ruajtjen e shëndetit si dhe sigurimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, që të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar”.

“Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë për t’u vaksinuar sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese.

Respektimi i masave dhe vaksinimi do të na ndihmojë që të kalojmë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga takimi.