Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qindra protestues para Kongresit amerikan kërkojnë embargo armësh ndaj Izraelit

Qindra protestues para Kongresit amerikan kërkojnë embargo armësh ndaj Izraelit

Qindra protestues pro-palestinezë u mblodhën të shtunën para Kongresit të SHBA-së, në Uashington, duke kërkuar përfundimin e gjenocidit në Rripin e Gazës, vendosjen e embargos së armëve dhe sanksioneve ndaj Izraelit.

Protestuesit valëvitën flamuj palestinezë dhe mbanin pankarta kundër ofensivës izraelite në Gaza dhe pushtimit të territoreve palestineze. Disa prej tyre kritikuan gjithashtu shpenzimet ushtarake amerikane, duke i lidhur ato me rritjen e çmimeve dhe pagat e ulëta në vend.

Protesta dhe marshimi u organizuan nga Lëvizja Rinore Palestineze dhe grupe të tjera pro-palestineze, me rastin e trevjetorit të fillimit të ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, në tetor të vitit 2023.

Organizatorët kërkuan ndërprerjen e furnizimit me armë për Izraelin dhe vendosjen e sanksioneve, duke i bërë thirrje Uashingtonit të rishikojë mbështetjen ushtarake dhe diplomatike për qeverinë izraelite.

Nouhad Akkar nga Lëvizja Rinore Palestineze tha për agjencinë Anadolu se protestuesit synojnë t’i mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e zgjedhur amerikanë për ndihmën ushtarake që SHBA-ja i ofron Izraelit. Ajo theksoi se lëvizja do të vazhdojë të kërkojë përfundimin e dhunës dhe çlirimin e palestinezëve.

Akkar kërkoi gjithashtu që institucionet publike të tërheqin investimet nga kompanitë e armëve që furnizojnë Izraelin. Sipas saj, fushata e organizatës synon edhe fondin e pensioneve të shtetit të Virxhinias, ku kërkohet të tërhiqen mbi 394 milionë dollarë investime nga kompani të tilla.

Ndërkohë, Isabella Javidan nga Këshilli Kombëtar Iraniano-Amerikan kritikoi politikat e SHBA-së në rajon, duke i lidhur operacionet ushtarake në Gaza me ato në Liban dhe Iran. Ajo akuzoi ligjvënësit amerikanë dhe kompanitë e mbrojtjes se po kontribuojnë në vazhdimin e dhunës.

Në protestë morën pjesë edhe qytetarë hebrenj amerikanë, të cilët kundërshtuan përdorimin e sigurisë së hebrenjve si arsyetim për armatosjen e Izraelit.

Marshimi u zhvillua disa javë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të parapara për 3 nëntor, në një kohë kur po shtohen thirrjet për ndryshimin e politikës amerikane ndaj Izraelit. /mesazhi