Qortim për Kosovën, mëshirë për Serbinë

Blerim Halili
Blerim Halili

Kosova dhe Bosnja e kanë paguar më së shumti çmimin e terrenit agresiv, përjashtues e gjenocidal ku u shtri shovinizmi serb. Në kujtesën e këtyre dy popujve ruhet mirë tragjedia që ndodhi në vitet e ’90-ta, por askush nuk është në lëkurën e këtyre dy popujve për ta kundruar e vlerësuar njësoj Serbinë.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

“Kosova politike” dhe “Kosova sociale” duhet ta kuptojë sa më parë se në parim është e vetme në rrugën e saj të konsolidimit dhe fuqizimit të subjektivitetit të vet. Ndërtimin e shtetit ligjor, shtrirjen e sovranitetit, paqen e mirëqenien duhet t’i synojë pa asnjë kusht dhe gjithnjë duke e kujtuar principin e të qenit e vetme në botën e vet. Në rastin më të mirë është me Shqipërinë, për shkak të lidhjes së natyrshme, është me SHBA-të, disa vende europiane dhe Turqinë për shkak të aleancës, përkatësisht përkrahjes e miqësisë së dëshmuar me to. Jashtë kësaj orbite ose në një rast hipotetik kur gjërat nuk shkojnë mbarë ose ashtu siç e mendojnë tani, rruga për ta pranuar këtë fakt (se ajo është e vetme në parim) është përmes kujtesës, pra pikërisht e kundërta e asaj që synohet t’i imponohet si “new born me miq shumë”, e cila është krijesë e gatshme për kompromise, ngase është pa kujtesë, rrjedhimisht pa taban nacional, patriotik e shpirtëror, është një godinë administrative.

Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk është e njëjtë. Ajo shpesh favorizon, fal, toleron qasjen destruktive dhe luftënxitëse të Serbisë për sa kohë që Kosovës i rri mbi kokë duke e qortuar e kërcënuar si polic kujdestar, madje edhe për temat që do të duhej t’i përkrahte e të krijonte terren të përshtatshëm për t’u realizuar, siç janë: reciprociteti, barazia, ndëshkimi i krimeve, promovimi i gjuhës së mirëkuptimit etj. Serbia gjithnjë shihet me syrin shpagues, nga disfata që pësoi në luftën e vitit 1998-1999, gjoja se ajo ka dhënë mjaftueshëm kur kapitulloi e u largua nga Kosova, për sa kohë që populli i Kosovës ka marrë mjaftueshëm kur u çlirua dhe madje e shpalli pavarësinë. Por, secili njeri me rezonim normal e kupton se liria e arritur dhe Republika e shpallur nuk kanë asnjë kuptim pa barazi, pa paqe e mirëqenie, pa liri të mirëfilltë e sovranitet të pathyeshëm. Liria është parakushti e Republika është hapësira ku një popull demonstron botën e vet dhe vullnetin për drejtësi, paqe, mirëqenie e progres. Prandaj, ndonëse në një pjesë të opinionit publik, në disa media e në disa adresa politike ekziston një qasje e trajtës se duhet pranuar gjithçka që vjen nga bashkësia ndërkombëtare, duhet të dihet se asnjë subjekt në botë nuk mendon më shumë për ty sesa ti për veten. Prandaj nëse “ti” (si qenie politike) je subjekti i parë që heq dorë nga të drejtat tua natyrore, nuk mund të presësh që një subjekt tjetër, bashkësi, aleancë, popull a organizëm politik të ta respektojë shpirtin tënd historik e godinën tënde politike e shoqërore. Ekzistojnë disa raste kur bashkësia ndërkombëtare si lehtësuese dhe ndërmjetësuese e paanshme gjatë procesit të bisedimeve për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi i ka marrë si të mirëqena kushtëzimet e Serbisë për dialog, Kosovën e ka qortuar dhe e ka kushtëzuar në mënyrë automatike, si të ishte kusht i veti e jo i palës negociuese. Kështu Kosova shndërrohej në palë të tretë e pasive në bisedime, madje fajtore për qasje destruktive, Serbia, si palë ndërmjetësuese në sensin që ajo impononte kushtet e vazhdimit të dialogut dhe bashkësia ndërkombëtare si palë negociouese, ngase i merrte si të mirëqenia kushtëzimet e një pale që vet ishte pjesëmarrëse në dialog. Pra, një përzierje totale rolesh e autoritetesh. Po të ishte e drejtë kjo, kush më tepër se Kosova do të kishte të drejtë ta kushtëzonte palën tjetër për bisedime, duke kërkuar të respektohen kështu principet humane e morale, që mbrohen edhe me konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë, e vrasjeve të civilëve dhe dhunimeve, e dëbimit të popullsisë civile nën motivin e spastrimit etnik, do të ishin mbase kushtëzime të pranueshme nga secili prizëm i mendjes e shpirtit njerëzor, i dinjitetit e moralit tejpolitik dhe i të drejtës e ligjit ndërkombëtar. Por, presioni ndaj Kosovës ishte i madh për ta çuar tutje dialogun, pa vënë kushte, madje – përkundrazi – duke pranuar kushte. Ky presion nuk vjen vetëm nga jashtë, por është i rrënjosur thellë në propagandën politike e mediatike vendore në një trajtë cinike. Ekziston një nënshtrim absolut ndaj përcaktimit të agjendës nga palët e dyta e të treta. Një presion për të përvetësuar një qasje ad hoc ndaj shtetit dhe popullit. Një presion për t’u shndërruar në një subjekt pa kujtesë, pa kritere, pa qëndrime e pa synim final. Për t’u shndërruar në një subjekt frikacak që nuk e ka guximin të ketë e aq më pak të artikulojë mendim për veten, për popullin, për të djeshmen e për të nesërmen. Mendësi koloniale dhe e shtypur. Pjesëmarrje pasive në procese sa për të mos prishur punë. Nënshkrime e vendime pa përjetim e përgjegjësi publike, si të bëhej fjalë për ndonjë palë të tretë e jo për veten.

Kosova dhe Bosnja e kanë paguar më së shumti çmimin e terrenit agresiv, përjashtues e gjenocidal ku u shtri shovinizmi serb. Në kujtesën e këtyre dy popujve ruhet mirë tragjedia që ndodhi në vitet e ’90-ta, por askush nuk është në lëkurën e këtyre dy popujve për ta kundruar e vlerësuar njësoj Serbinë. Prandaj duhet zgjedhur një qasje e dyfishtë: idealiste, në kuptimin e artikulimit, demonstrimit dhe praktikës së idesë së lirisë, humanizmit dhe barazisë në projekt politik republikan dhe pragmatike, në kuptimin e përfitimit potencial nga miqtë, aleatët dhe përkrahës të tjerë nga organizma, popuj e shtete për ndërtimin dhe avancimin e botës në fjalë. Është e domosdoshme të mirëmbahet e të avancohet tutje aleanca e miqësia me shtete e popuj që ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, barazisë, mirëqenies, madje edhe të civilizimit e vlerave shpirtërore. Duke e avancuar afërsinë e natyrshme me Shqipërinë, avancimi tutje i bashkëpunimit dhe koordinimit në shumë çështje jetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Gjermaninë, Kroacinë dhe disa vende të tjera europiane, me Turqinë dhe vende të tjera mike, janë vetëm disa nga linjat kryesore në hartën gjeopolitike që duhet ndjekur.

Kosova do të jetë në krye të detyrës, duke bashkuar vlerat në të cilat ka besuar deri më sot me vlerat e principet më të avancuara të botës perëndimore. Duke e përvetësuar si fakt idenë se askush nuk mendon për të si ajo për veten, se askush nuk e ka ndjeshmërinë si ajo për të djeshmen dhe për vlerat që ende beson, ajo duhet të jetë konsistente në rrugën e konsolidimit shtetëror. E ardhmja është e paalternativë, e pakompromistë. Kosova ka sfida e probleme serioze në themel, si në sistem, ashtu edhe në botën sociale (mentaliteti, mungesa e idealizmit për shtetin dhe kolektivitetin, harresa e të kaluarës, dhënia pas botës materiale me një qasje “tash për tash” drejt pasurimit të shpejtë, korrupsioni, migrimi në parametra jonormalë, mafia ekonomike, aleanca media-politikë, mungesa e cilësisë në arsim, zhvillimi jo i duhur i qyteteve dhe komplekseve të banimit, mungesa e infrastrukturës cilësore rrugore që do t’i bënte ballë ndryshimit demografik, mungesa e evidentimit sistematik të krimeve të luftës dhe përjetimeve të popullit, mangësi e lëshime në gjyqësor etj.). Por, nga ana tjetër, Kosova ka potencial të madh për zhvillim, si në rrafshin e resurseve humane, në pasuritë natyrore, në sektorë të ndryshëm ekonomikë e tregtarë etj. Ajo ka popullsi të re, ka rini inteligjente dhe në hap me arritjet teknologjike të kohës, ka një gamë të tërë profesionistësh në fusha të ndryshme, që premtojnë shumë si në vazhdimin e sistemit të ndërtuar, ashtu edhe në inovacione të ndryshme. Ka profesionistë të dëshmuar e idealistë aktivë në shkencat natyrore, në ato sociale, në sektorin ushtarak, në polici, në arsim, në administratën publike e në sektorin privat, në sektorin e prodhimit e në atë të shërbimit. Dhe, një vlerësim i tillë do të mund të dëshmohej lehtë me një vëzhgim e analizë socio-ekonomike të jetës si në mjediset urbane, ashtu edhe në ato rurale, si në institucione, ashtu edhe në nismat vetanake të individëve inovativë e kreativë.

Pasi ta ketë zgjidhur përfundimisht çështjen nacionale, sovranitetin, kërcënimin verior etj., do të duhej të jetë e pakompromistë në ndërtimin e shtetit ligjor, implementimin e politikave sociale, mirëqenien e barazinë, investimin në dijet e disiplinat moderne shkencore e teknologjike. /revistashenja