Qytetarët turq shkatërrojnë iPhone, bëjnë thirrje për bojkot (Video)

Qytetarët në Turqi janë filmuar duke shkatërruar me çekan telefonat e mençur iPhone. Kjo po ndodh pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump që t’i vendosë sanksione Turqisë, e cila gjithashtu ka bërë thirrje për bojkotimin e produkteve amerikane.

Në një video të publikuar në Twitter që është shikuar nga mijëra njerëz, shfaqen një grup burrash të cilët me çekan thyejnë  telefonat e mençur iPhone që prodhohen në SHBA.

Disa ditë më parë kanë qarkulluar në rrjetet sociale edhe disa pamje tjera, ku shiheshin disa qytetarë nga Turqia duke i djegur dollarët nëpër rrugët e qyteteve.

Por, e gjithë kjo luftë ekonomike dhe diplomatike mes Ankarasë dhe Washingtonit është rritur edhe më shumë, që kur autoritetet turke të sigurisë arrestuan priftin protestant Andrew Brunson, i cili në vitin 1993 erdhi nga SHBA-të në Turqi për të punuar, ndërsa autoritet turke të sigurisë e akuzuan për lidhjet me grupet terroriste.

Që nga futja e sanksioneve, vlera e lirës turke ka pësuar rënie drastike, ndërsa si kundërpërgjigje Turqia ka dyfishuar tarifën doganore për produktet amerikane siç janë alkooli e duhani. /Telegrafi/