Radojçiq: Jam kthyer në Kosovë, s’ka kthim prapa

Nënkryetari i Listës Serbe, i njohur si një nga bosët e krimit në veri të Kosovës, Milan Radojçiq, ka thënë se është kthyer në Kosovë. Në një video të publikuar në YouTube të martën ai ka thënë se “më s’ka kthim prapa”.

Në video ai ka thënë se nga veriu u drejtohet serbëve në kohën kur “terrori i vërtetë ndaj popullit serb po fillon”.

“Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni t’ju them, edhe të tjerëve, unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, ka thënë Radojçiqi në video.

E publikuar nga “alo”, mediumi ka thënë se videoja vjen “pas kërcënimeve brutale të Kurtit”. Aty shkruhet se “videoja s’do të jetë e mirë për askënd në Prishtinë, por burim i shpresës për serbët”.

Serbia po vazhdon të dramatizojë duke përmendur edhe luftën me Kosovën, pas vendimit të Qeverisë për reciprocitet në dokumente identifikimi dhe për zëvendësim të targave ilegale serbe me ato RKS. Me vendimin e miratuar javën e kaluar Qeveria synon t’u japë fund targave, të cilat janë lëshuar nga Serbia nëpërmjet strukturave paralele.

Më herët edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përdorur deklarata luftënxitëse. Pas vendimit të Qeverisë ai ka thënë se “Serbia do të përgjigjet me goditje vdekjeprurëse”. Në sinkron me presidentin e Serbisë, edhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se implementimi i vendimeve nga Qeveria e Kosovës është shpallje e luftës.

Në mbledhjen e javës së shkuar Qeveria Kurti vendosi ta aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin e pasaportën, por në hyrje kosovarët i pajis me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit. Po ashtu pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që përbëjnë shkurtesa të qyteteve të Kosovës, nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022 u është mundësuar regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas Qeverisë, pronarët e veturave mund ta bëjnë ndryshimin e targave gjatë periudhës dymujore, nga 1 gushti deri më 30 shtator.