Rama: Kemi propozuar instalimin e një baze të NATO-s në portin e ri të Durrësit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se kanë ftuar NATO-n që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake të portit të ri të Durrësit, konkretisht për instalimin e një baze të NATO-s në port, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat, kryeministri Rama ka folur mbi zhvillimet në Samitin e NATO-s të mbajtur në Madrid, për procesin e integrimit evropian të vendit dhe çështje të tjera.

“Kemi folur atje (në samit) për projektin tonë dhe së shpejti besoj që do rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit, në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe që përveç pjesës komerciale dhe tregtare, parashikohet të ketë edhe një pjesë ushtarake”, tha Rama.

Ai tha se së shpejti do të bëjnë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin shqiptar të ekspertëve dhe me ekspertët e Aleancës, sipas tij, për të parashtruar projektin me detaje dhe për të vazhduar më tutje me diskutimet.

“Aktualisht po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë, është tërësisht financim i huaj, ndërkohë që për sa i përket portit, ne natyrisht që do të financojmë vetë të gjithë pjesën komerciale dhe e kemi ftuar NATO-n, që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake. Nëse e realizojmë këtë, do të jete diçka me një vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë, por edhe me një vlerë strategjike të rëndësishme edhe për vetë NATO-n”, tha më tej Rama.

Ai shtoi se pjesë e diskutimeve të tij ishte edhe pjesa e përpjekjeve të bëra për të arritur në një marrëveshje që sipas tij i hap rrugën përfundimisht çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Unë kam qenë gjatë gjithë kohës në kontakt me presidentin e Francës, i cili për hir të së vërtetës meriton një mirënjohje të posaçme dhe një falënderim të madh sepse ka ndjekur vetë personalisht 48 orë rresht, pa pushim edhe pas mesnate kemi shkëmbyer mesazhe këtë proces”, u shpreh Rama.

“Në këndvështrimin tim, propozimi i ri që është edhe propozimi përfundimtar dhe këtë duhet ta kuptojmë mirë, jo ne, po do ta kuptojnë mirë sidomos vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut, është një propozim plotësisht i pranueshëm dhe qeveria, shumica, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet ta pranojë pa asnjë hezitim dhe shoqëria në Maqedoninë e Veriut duhet të ndihet plotësisht e lehtësuar sepse është kapërcyer një ngërç dhe janë eliminuar disa nuanca të cilat realisht e bënin të papranueshëm propozimin e mëparshëm”, tha Rama.

Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë problem me Bullgarinë, duke shtuar se “nuk kemi asnjë shqetësim të asnjë natyre tjetër përveç shqetësimit të krijuar nga qasja e Bullgarisë ndaj çështjes bilaterale në Maqedoninë e Veriut dhe nga peng marrja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për pasojë”.

Rama theksoi se kanë kërkuar që Kosova të përfshihet ne mekanizmin e partneritetit për paqe, i cili sipas tij është një stad tjetër i marrëdhënieve me NATO-n dhe që i pararend anëtarësimit në NATO.

Gjithashtu kryeministri Rama tha se me hapjen e rrugës nga ana e Türkiye-s, janë krijuar premisat që NATO të shtohet edhe me dy anëtare të tjerë, Suedinë dhe Finlandën.