Kur pacipësia politike rendit Izraelin gjenodical te shtetet paqedashëse
Kryeministri Rama i ka kushtuar një status sulmit amerikano-izraelit mbi Iranin, duke shkuar, afërmendsh, si ta kishte diktuar Netanyahu dorën e tij. Mjafton fakti se e rendit Izraelin te vendet që priren për paqe, ndërkohë që ç’prej kur është sajuar ky shtet aty, rajoni nuk gjen dot paqe. Dhe jo vetëm kaq, pasi pas çdo zjarri lufte është dora e Izraelit.
Por ç’dërdëllit Rama në këtë rast, jo me të thënë por me të shkruar?
Fillimisht duke shpallur Gardën Revolucionare si organizatë terroriste, ai vijon:
“Ka ardhur koha të shkurtojmë fjalët dhe të shkojmë drejt thelbit.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar ndër organizatat terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Jo vetëm sepse qëndrojmë të palëkundur me Izraelin dhe me vendet arabe vëllazërore që kërkojnë paqe.
Jo vetëm sepse mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot, nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.
Jo vetëm sepse Bashkimi Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe njëherë sot natyrën vrasëse të regjimit të Teheranit.
Por mbi të gjitha, në një ditë si kjo, kur kërkohen veprime, jo vetëm fjalë, në nder të viktimave të pafundme të pafajshme të gjakësorëve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.
Shqipëria ka përjetuar nga afër fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike ndaj vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore.
Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta listojmë ndër organizatat terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.
Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e përgjithmonë që vrasësit në Teheran të fitojnë kapacitet bërthamor ose ushtarak për të dëmtuar Izraelin apo ndonjë vend tjetër që kërkon paqe në Lindjen e Mesme.
Terrorizmi duhet të quhet me emrin e vet. Dhe kur quhet me emrin e vet, ai duhet të ndalet”.
Por sa për të kuptuar se çfarë luhet te sulmi i pretenduar kibernetik iranian mbi sistemin shqiptar, mjaft që pas atij momenti siguria kombëtare iu dorëzua Izraelit. Pra, ne tashmë varemi nga shteti më i pabesë e kriminal në botë, para të cilit Irani ngjan lule, sado i poshtër si regjim, siç është në fakt. /tesheshi








