Rama operacion për apendisitin në QSUT, Kryeministria: Ndërhyrja e suksesshme

Kryeministri Edi Rama u diagnostikua me apendisit akut natën e mbrëmshme, pas kryerjes së disa testeve imazherike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Zyra e shtypit e kryeministrisë, bën tĕ ditur se “në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, Kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e apendisitit në orët e para të mëngjesit të sotëm”.

Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë në QSUT.

Gjithashtu, në njoftim sqarohet se “ndërhyrja konsiderohet e suksesshme dhe gjendja shëndetësore paraqitet e mirë”. /atsh