Rama për planet e dhëndrit të Trumpit: Ofertë me potencial të jashtëzakonshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, planin e dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërtime hotelesh e vilash në ishullin e Sazanit.

Mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur dyshime për ndikimet politike në këtë projekt e madje edhe për konflikt interesi, sidomos pasi Trumpi po tenton tjetër mandat në krye të SHBA-së. Në projektet e Jared Kushnerit është përfshirë edhe Richard Grenelli, ish-emisar amerikan për Ballkanin Perëndimor. Sipas mediumit prestigjioz gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung” realizimi i këtij projekti potencial mund të ketë pasoja të mëdha, teksa ka përmendur edhe “marrëveshjen e planifikuar” për ndarjen e Kosovës.

Në një deklaratë për media të martën, kryeministri Rama ka thënë se “është mësuar me akuzat e njerëzve”.

Ai ka thënë se nga projekte të tilla “fitojnë shqiptarët”.

“Shqiptarët do të fitojnë çka nuk imagjinohej vite më parë sepse nxitja e këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët, rrit ekonominë, stimulon zinxhirin e prodhimit. Ata konsumojnë këtu. Shqipëria do të jetë konkurrente e ‘luanëve të Mesdheut’. Është aplikim që do ta shqyrtojmë sipas ligjit. Unë flas me fakte. Kemi ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm që do ta shqyrtojmë sipas ligjit”, ka thënë Rama duke shtuar se ideja e tillë ka qenë para se ai të bëhej kryeministër.

Rama ka thënë se “transformimi i Sazanit në xhevahir të kurorës së turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme”.