Rama: Presidenti Erdoğan dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit dypalësh mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në diskutimet dhe aspektet e bashkëpunimit mes palëve, raporton Anadolu Agency(AA).

Duke e falënderuar për mikpritjen gjatë vizitës në Turqi, Rama tha: “Në këtë mikpritje në të gjithë së bashku si delegacion nga Shqipëria mundëm të konstatojmë shprehjen e një vullneti të fortë për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, mes dy shteteve, mes dy qeverive. I jam mirënjohës presidentit për bashkëbisedimin kokë më kokë dhe për kohën e çmuar që i dedikoi një tërësie të konsiderueshëm çështjesh”, tha Rama.

Për ndihmën e shtetit turk pas tërmetit Rama deklaroi: “Presidenti Erdoğan ishte i pari i cili u angazhua publikisht dhe botërisht për t’u përfshirë në procesin e rindërtimit dhe faktikisht i hapi rrugë një procesi të tërë përfshirjeje të shumë të tjerëve që bënë të mundur mbledhjen e një kontributi të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për familjet e prekura nga tërmeti”.

Kryeministri i Shqipërisë tha se Presidenti Erdoğan dhe Republika e Turqisë i qëndruan pranë Shqipërisë.

Duke iu referuar bashkëpunimin mbi pandeminë COVID-19, Rama tha se “Një nga temat e diskutimit ka qenë bashkëpunim i afërt mes dy vendeve dhe mbështetja e presidentit të Turqisë për Shqipërinë”.

“Sjellja e Republikës së Turqisë ndaj nesh dhe qasja e presidentit Erdoğan në situatat kur vendi si i yni gjenden në vështirësi janë mishërimi i asaj fjalës së paharrueshme të Kemal Ataturkut i cili thoshte se ‘njerëzimi është një trup i vetëm’ dhe çdo komb është një pjesë e këtij organizimi”, tha Rama.

“Unë jam sot vërtet krenar që mu dha mundësia dhe nderi për të nënshkruar këtu në emër të Republikës së Shqipërisë me presidentin Erdoğan deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënie institucionale ndërqeveritare. Nga ana tjetër vlera më e madhe që unë shoh tek marrëveshjet e nënshkruara dhe tek kjo vizitë është gatishmëria për të ngritur grupe të përbashkëta dhe për të punuar nga afër bashkërisht duke i kapërcyer të gjitha barrierat burokratike”, u shpreh Rama.