Rama thotë se i kanë dhënë fund problemit të trafikut në kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë i kanë dhënë fund problemit të trafikut në kryeqytet.

Rama është shprehur se trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti.

“Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës. Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme”, ka shkruar Rama në Facebook.

Por sipas Ramës krejt këto i takojnë të shkuarës.

“Zgjidhja e problemit të trafikut nga Shërbimi i Arkitetktit i Kryeqytetit (SHAK) dhe kryeqyteti bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h”, ka shkruar ai.

Sipas tij një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, e cila paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta.