Rama: Turqia, një prej vendeve më të përgatitura ndaj pandemisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar një bashkëbisedim online me pjesëtarët e komitetit të ekspertëve për pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) nga Shqipëria dhe Turqia, ndërkohë i pranishëm ishte edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, raporton Anadolu Agency(AA).

Rama tha se ekspertët turq të shëndetësisë kanë ardhur në Tiranë për të shkëmbyer eksperiencën me komitetin shkencor të eksperteve në Shqipëri, sipas tij, për të bërë një vlerësim të situa.

“Ne jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe të mësojmë sa më shumë nga të tjerët. Një nga vendet ku kemi ndjekur me vëmendje dhe kemi pasur edhe mundësinë që të kemi komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbim të vazhdueshëm eksperiencash është edhe Turqia. Komiteti Shkencor i Turqisë ka një meritë të veçantë për faktin se Turqia falë ekspertizës dhe parapërgatitjes që ekspertët e vendit mik bënë, ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes së këtij armiku të padukshëm”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se e udhëhequr nga mendimi shkencor i ekspertëve të saj dhe i komitetit të saj shkencor, Turqia mori një sërë masash të distancimit social edhe përpara sesa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të klasifikonte COVID-19 si një pandemi botërore.

“Duke ndërtuar këtë barrierë njerëzore, depërtimi i sëmundjes në Turqi mori shumë më tepër kohë sesa vendet tjera dhe patjetër që i dha kohë qeverisë, institucioneve, gjithë sistemit që të përgatiten më mirë. Po ashtu që në vitin 2019, Turqia kishte një plan kombëtar për përballimin e pandemive”, theksoi kryeministri Rama.

“Duhet ta dinë miqtë turq se ka shumë rëndësi fjala e tyre sepse në sytë e shumë shqiptarëve Turqia është destinacion i të vërtetës kur vjen puna për shëndetësinë dhe për spitalet”, tha më tej Rama.

Recep Öztürk, anëtar i komitetit për trajtimin e pandemisë në Turqi, tha se kanë vënë re që Shqipëria është e përshtatur me metoda të reja në luftën kundër koronavirusit.

“Dua të përcjellë mesazhet falënderuese dhe të gjitha përshëndetjet e përzemërta të presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Kemi parë të gjitha masat e marra kundër COVID-19. Shqipëria është e përshtatur me metoda të reja në luftën kundër COVID-19”, u shpreh Öztürk.

Mira Rakacolli, drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve në Shqipëri, tha se: “Me kolegët e nderuar (turq) kemi diskutuar për situatën epidemiologjike në Shqipëri, politikat tona të testimit, të gjurmimit dhe sidomos ato të trajtimit, si dhe për masat e marra në faza të ndryshme të zhvillimit të pandemisë nga dy vendet tona”.

Ekspertët e shëndetësisë nga Turqia prej disa ditësh kanë realizuar takime në Tiranë me homologë të tyre dhe me drejtuesit e institucioneve shëndetësore për të diskutuar mbi masat dhe situatën e fundit të pandemisë.