Ramiz Kelmendi kërkon votat e punëtorëve të tij, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rastin penal lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve”, ndaj Ramiz Kelmendit.

Kjo ka ndodhur për shkak të një deklarate të Ramiz Kelmendit ditë më parë i cili është shprehur se punëtorët e tij do të votojnë për Kadri Veselin dhe PDK-në në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan lajmi.net.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra për Media e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim bazuar në një video-incizim ku vërehet një person i cili dyshohet se përmes një pakoje të një shoqate humanitare po zhvillon aktivitet politik.

Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas deklaratave publike të biznesmenit, R.K., i cili është duke kërkuar votën nga të punësuarit në kompaninë e tij, me qëllim të favorizimit dhe votimit për njërën nga partitë politike të Kosovës, ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore, duke e iniciuar si rast paraprak penal, lidhur me veprën penale “Cenimi i paracaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 të KPK-së.

Po ashtu, kjo prokurori ka iniciuar edhe një rast tjetër për hetim, në bazë të qarkullimit të një video-incizimi, ku vërehet një person, i cili dyshohet se përmes një pakoje të shoqatës humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, është duke zhvilluar aktivitet politik në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e veprimeve përkatëse hetimore, me qëllim të sqarimit dhe identifikimit të personave të implikuar në këto raste.