Ramiz Lladrovci intervistohet nga Specialja, dhjetori sjell aktakuzat e para

Kreu i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, ish-themeluesi i UÇK-së, të martën doli para Prokurorisë Speciale të Hagës në cilësinë e dëshmitarit.

Ndonëse nuk u deklarua për medie, Lladrovci kishte thënë se do të shkojë në Hagë për ta mbrojtur luftën e drejtë e të pastër të UÇK-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Një nga themeluesit e UÇK-së – Ramiz Lladrovci është intervistuar të martën nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë.

Lladrovci e kishe bërë publike ftesën e tij në fillim të këtij muaji, teksa kishte deklaruar se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit.

“Valës së ftesave nga Dhomat e Specializuara i jam bashkuar edhe unë në cilësinë e dëshmitarit. Nuk kam informata e as dijeni më shumë sesa shkruan në ftesë. Data e dhënies së dëshmisë është më 19 dhjetor 2019”, kishte thënë ai.

Kryetari i Drenasit ndër të tjera pati theksuar se asnjëherë nuk ka pasur dilema për luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së.

“Kurrë në jetë as kam pasur hamendje e as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, për rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore. Përjetësisht krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ishte shprehur Lladrovci.

Në anën tjetër avokatë të akredituar nga Gjykata Speciale vlerësojnë se me intensifikimin e ftesave nga ky organ shumë shpejt mund të pritet edhe ngritja e aktakuzave të para.

Kësisoj sipas tyre, muaji dhjetor eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm do t’i sjellë aktakuzat e para nga Prokuroria Speciale.

Lajmi.net kishte raportuar edhe për atë se Specialja tashmë ka nisur marrjen e pasaportave për të intervistuarit në cilësinë e të dyshuarve nga hetuesit e Hagës.