Raporti i FRONTEX – Rritje me 70% e emigrantëve të paligjshëm në krahasim me një vit më parë

Organizata evropiane për Ruajtjen e Kufijve, Frontex ka publikuar një raport për fluksin e emigrantëve të paligjshëm në kontinent për 9 muajt e parë të vitit 2022 si dhe për muajin shtator.

Sipas të dhënave të publikuara, në 9 muajt e parë të këtij viti, janë konstatuar afro 228.240 emigrantë të paligjshëm të cilët kanë hyrë në Europë.

Këto shifra përbëjnë një rritje prej 70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Gjithashtu kjo përbën dhe numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm që prej vitit 2016.

Ndërsa vetëm për muajin shtator, Frontex ka konstatuar hyrjen e 33.380 emigrantëve të paligjshëm në Europë.

Organizata europiane thotë se Ballkani Perëndimor mbetet porta hyrëse e preferuar e emigrantëve që duan të futen në Europë. Vetëm përmes kësaj rruge, FRONTEX ka konstatuar 19.160 persona të paligjshëm gjatë muajit shtator, dyfishi i shifrave të një viti më parë për të njëjtën periudhë.

Rruga e dytë më e preferuar mbetet Mesdheu qendror përmes detit. Italia konsiderohet si porta hyrëse, ku agjentët e FRONTEX konstatuan rreth 7200 emigrantë të paligjshëm në shtator, 5% më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë.

Organizata europiane sqaron se në këtë raport nuk janë llogaritur qytetarët ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. Por pavarësisht kësaj, FRONTEX thotë se nga ukraina janë larguar rreth 11 milionë qytetarë vendas dhe kanë hyrë në Europë që prej fillimit të luftës.

FRONTEX ka vendosur mbi 2360 oficerë dhe staf në disa kufij të Europës si në Shqipëri, Serbi, Mal i Zi dhe Moldavi për të monitoruar fluksin e emigrantëve të paligjshëm. Përsa i përket rrugës së “preferuar” të shqiptarëve që ikin në Angli, Kanalit të La Manche, FRONTEX thotë se për 9 muaj, janë konstatuar 52700 emigrantë të paligjshëm që udhëtojnë me gomone. /panorama