Rasti i Drenasit, lirohet avokati Halilaj – thotë se u akuzua për një vepër që e zbuloi vetë

Zhvillime të reja kanë ndodhur në rastin e skandalit të keqpërdorimit seksual të së miturës nga Drenasi.

Avokati, Gazmend Halilaj është liruar sot nga arresti shtëpiak, shkruan lajmi.net.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net vetë Halilaj, i cili ka thënë se është mbajtur padrejtësisht për një vepër që e ka zbuluar ai vetë.

Sipas tij, ai është akuzuar pa të drejtë, duke qenë se siç pretendon ai është akuzuar për një vepër kundër detyrës zyrtare, pa qenë fare person zyrtar.

“Jam mbajtur për tre muaj e gjysmë për një vepër që e kam zbuluar vetë. Pa qenë person zyrtar për një vepër kundër detyrës zyrtare”, ka thënë ai.

Ndërsa, në arrest shtëpiak po qëndrojnë të akuzuarit tjerë, duke përfshirë edhe të dyshuarin kryesor, policin Vesel Veseli.

Prokuroria ndërkaq pritet që shumë shpejtë të ngrisë aktakuzën lidhur me këtë rast.