Rasti Mustafa: 16 dëshmitarë do të ftohen për çështjen e ish-eprorit të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë po mban konferencë statutore për rastin ndaj Salih Mustafës.

Prokurori i Speciales, Jack Smith, flet për rastin e Sali Mustafës, duke thënë se janë duke u bërë shumë hetime lidhur me rastin e Salih Mustafës dhe do ftohen 16 dëshmitarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale, shkruan lajmi.net.

Prokurori i rastit, Jack Smith, ka thënë se kjo zyrë do të mbështetet në pesë dëshmitarë për qëllimet e akuzës së konfirmuar, ndërsa më pas do të shtohen edhe 11 dëshmitarë të tjerë.

“16 dëshmitarë dhe mund të thuhet se janë më shumë se kaq”, ka thënë Smith duke vazhduar se mbrojtjes i janë dorëzuar disa tufa me dokumente, por nuk janë të dëshmitarëve.

Gjyqtari ka thënë se i gjithë materiali mbështetës i aktakuzës duhet që brenda 30 ditësh t’i dorëzohet mbrojtjes.

“Mbrojtja ka marrë dy tufa dokumentesh. Dorëzime 2 dhe 3 dhe materalet tjera që nuk janë dërozuar kanë të bëjnë me dëshmitarët. Dokumentacioni që ka marr mbrojtja e nuk lidhet me dëshmitar. Ka të bëjnë me pesë dëshmitarët që i përmenda edhe me herët që është mbështetur ngritja e aktakuzës”, ka thënë prokurori i rastit.

Kujtojmë, se Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë më 28 shtator, kishte zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.